Aktualitet Auto & Moto

Qetësohen flakët në Vlorë, sot ndihmë nga Holanda e Çekia!

Ndërsa në pjesën më të madhe të vendit ka një situatë disi më të përmirësuar sa i përket zjarreve, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për vatrën në Majën e Rrunës, në Kukës. Flakët kanë përfshirë pjesën më të madhe të malit e po punohet për t’i mbajtur nën kontroll që të mos rrezikohen banesa. Po në Kukës, vijon zjarri në fshatin Kalis ndonëse u eliminua rreziku për shtëpitë.

Në Cukal të Shkodrës, flakët janë aktive, por pa rreziqe të evidentuara. Në malin e Shëngjinit dhe në Parkun e Thethit, vatrat u izoluan ndërsa u shuan përfundimisht zjarret në Fushë Arrëz.

Në Karaburun puna po vijon për shuarjen totale të flakëve, edhe pse është mbyllur pjesa më e madhe. Momentalisht nuk ka asnjë rrezik.  Në Vlorë, dita ka nisur më e qetë sa i përket situatës së zjarreve në një prej qarqeve më të goditur prej tyre ditët e fundit. Ndonëse në fshatrat Gjorm e Gumenicë, si dhe në Karaburun vatrat nuk janë shuar plotësisht, lajmi i mirë është se nuk përbëjnë shqetësim e po mbahen nën kontroll.

Era e fortë e një dite më parë favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve që në Gjorm dogjën tre banesa, disa stane e bagëti.

Autoritetet dhanë urdhër për evakumin e banorëve në Gjorm e Gumenicë e fatmirësisht nuk u shënuan të lënduar. Po dje, kthesë alarmante mori situata në Karaburun e zjarret iu afruan Parkut të Llogarasë ndonëse nuk arritën ta preknin.

Nga sot, dy helikopterë nga Holanda e Çekia do t’i shtohen përpjekjeve për shuarjen e zjarreve në vendin tonë, në përgjigje të kërkesës së Bashkimit Europian. Në Gjirokastër situata paraqitet e stabilizuar. Mbetet aktive një vatër në fshatin Saraqinisht, e cila nuk paraqet rrezik. Edhe zjarri në Gadurovë të Mallakastrës është nën kontroll e pa rrezikshmëri.

Zjarret nuk kanë kursyer as juglindjen.

Në Vithkuq të Korçës, Manastiri i Shën Pjetrit, monument kulture, i shpëtoi flakëve por u dogjën 4 hektarë me pisha e shkurre.

Në Greqi ka dalë jashtë kontrolli, zjarri i madh që filloi në Varybob, në malin Parnitha e tani është shtrirë në veri dhe lindje duke arritur në autostradën kombëtare në Afidnes. Policia po mbyll trafikun në kryqëzimin Agios Stefanos në drejtim të Lamias.

Më herët, u evakuan 6 fshatra dhe banorët u paralajmëruan përmes mesazheve të urgjencës. Zjarrfikësit po mbështeten edhe në ndihmën nga ajri, pasi temperaturat shumë të larta e kanë bërë të vështirë që forcat tokësore të qëndrojnë në frontin e zjarrit. Ndërhyrjet po kryhen me 10 helikopterë e 7 avionë.