Bota

Qeveria amerikane i shpëton mbylljes, një ditë para afatit!

Në Shtetet e Bashkuara, sot ishte afati i fundit për miratimin e projektligjit mbi shpenzimet që çon në shmangien e mbylljes së zyrave federale dhe fatmirësisht u arrit konsensus. Senati miratoi draftin, që përveçse mundëson të mos ketë mbyllje të pjesshme, gjithashtu financon qeverinë federale deri më 18 shkurt. Miratimi u arrit kur drejtuesit demokratë e republikanë, zbutën tensionet rreth vaksinimit të detyrueshëm anti-COVID. Tashmë, projektligji pret firmën e presidentit Joe Biden.

Më herët, udhëheqësit e Kongresit Amerikan njoftuan se arritën marrëveshje për ta mbajtur qeverinë funksionale për 11 javë të tjera, kryesisht në nivelet aktuale të shpenzimeve. Gjithashtu, u shtuan 7 miliard dollarë për të ndihmuar të evakuuarit nga Afganistani. Pasi Dhoma e Përfaqësuesve votoi për miratimin e projektligjit, senatorët njoftuan për një marrëveshje që lejoi votimin e shpejtë.

Kreu i shumicës në Senat, Chuck Schumer:

Më vjen mirë që në fund mbizotëruan “kokat më të ftohta”. Qeveria do të qëndrojë e hapur dhe falënderoj anëtarët e kësaj Dhome që na larguan nga pragu i një mbylljeje të shmangshme, të panevojshme e të kushtueshme.

Senati Amerikan e miratoi projektligjin me 69 vota pro e 28 kundër. Në Dhomën e Përfaqësuesve, draftin e mbështetën 221 ligjvënës kundrejt 212 që ishin kundër, shumica republikanë. E vetmja votë në favor në radhët e republikanëve ishte ajo e përfaqësuesit nga Illinoisi, Adam Kinzinger. Në Amerikë, mosmarrëveshjet rreth Buxhetit shpesh herë kanë çuar në mbyllje të kushtueshme të qeverisë, në dy dekadat e fundit.