Aktualitet

Qeveria dhe “Fundjavë Ndryshe” dorëzojnë bllokun e parë të shtëpive të rindërtuara në Vaqarr/ Rama: 33 mijë familje do të përfitojnë nga rindërtimi.

Kryeministri Edi Rama dorëzoi këtë mbrëmje bllokun e parë të banesave të rindërtuara në Vaqarr, për familjet e prekura nga tërmeti i dy viteve më parë.

Në një ceremoni ku merrnin pjesë kryebashkiaku Erion Veliaj dhe Arbër Hajdari i “Fundjavë Ndryshe”, Rama tha se  kjo përpjekje do të ndryshojë jetën e 33 mijë familjeve që janë prekur në të gjithë vendin nga tërmeti.

Jeta po u ndryshon cilësisht. Janë 33 mijë familje në të gjithë hapësirën ku goditi tërmeti i 26 nëntorit, që ose e kanë humbur plotësisht shtëpinë, ose e kanë parë atë të dëmtohet në nivele të ndryshme dëmi,-tha Rama.

Kryeministri u shpreh se dorëzimi i banesave të tjera do të vazhdojë në Ndroq, Zall Herr, tek “5 maji” apo edhe në zona të tjera.

Së shpejt do hyjnë në shtëpi jo vetëm ata të cilët janë në pritje në Ndroq apo në Zall-Herr, tek 5 Maji do jenë familjet që do futen, pasi gjithçka po ndërtohet nga e para. Po kështu edhe me Kombinatin, jo vetëm me projektimin, por edhe më tej. Ditët e ardhshme do hyjnë në shtëpi banorët e Bubqit, në vend të një situate urbane të degraduar, gjithë ato familje do kenë një hapësirë urbane shembullore, në Fushë Krujë e më tej në Thumanë, në Laç ku është ndërtuar një lagje e madhe dhe vazhdon rindërtimi. Laçi po bëhet një qytet nga e para. Në lezhë ku ka një bllok të tërë banimi apo në zonën e Kavajës e deri tutje në Mirditë, pranë Rrshenit ku ka një lagje drejt përfundimit, apo lart në Krujë, ku sapo ka nisur puna përtej vështirësive që kishte nga terreni, apo dhe në Durrës ku ka mbaruar puna për riparimet e thella të një numri të konsiderueshëm pallatesh. Ka filluar puna për pallatet me dëmet më të rënda, ka filluar prej disa kohësh. Në zonën e Spitallës ka nisur puna për një lagje të re. Të gjitha këto janë momente kurorëzimi të një përpjekje që ka zgjatur 2 vjet. Në këto 2 vjet jeta s’ka qenë e lehtë. I kishim mundësitë që shtëpitë individuale ti mbaronim me kohë, por pati një shtyrje të gjatë. Asnjë familje që kanë qenë të detyruar të lëvizin që ka humbur shtëpinë nuk është lënë vetëm, jan mbështetur me bonusin e qirasë të paguara nga qeveria. Procesi ka pasur vështirësi me procesin e pronësisë dhe për të garantuar proces të drejtë, ata që spostohen nga vendbanimet e mëparhsme të marrin tituj pronësie.-tha Rama.

Rama foli edhe për bonusin e qirasë për ato familje që janë në pritje të një banese. Ai premtoi se bonusi i qirasë do të vijojë nga qeveria deri në rindërtimin e banesave të tyre.