Rajoni

Qeveria e Kosovës: Afganët që refuzohen nga SHBA, strehim nga vende të treta

Afganët e strehuar në Kosovë, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u futur në SHBA, do të transportohen drejt vendeve të treta.

Kjo është përgjigja e dhënë nga qeveria e Kosovës për Euronews Albania në lidhje me refuzimin e disa afganëve për t’u strehuar në SHBA.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës na ka siguruar se nëse afganët në Liya nuk janë në gjendje të kalojnë kriteret e verifikimit, Shtetet e Bashkuara do të punojnë̈ për të identifikuar vendet e treta që kanë vullnet t’i pranojnë̈ ata, bazuar në preferencat e qytetarëve afganë”, thuhet nga qeveria e Kosovës.

Autoritetet sqarojnë se nëse ndonjë qytetar afgan dëshiron të kthehet vullnetarisht në Afganistan, Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në realizimin e një kërkese të tillë.

Sipas qeverisë së Kosovës deri më tani janë larguar nga ‘Kampi Lyia’ drejt SHBA-së 600 afganë.

“Një shumicë dërrmuese e mysafirëve të përkohshëm në Kampin Liya në Kosovë i kanë kaluar tashmë të gjitha kriteret e sigurisë dhe verifikimit të SHBA-së. Partnerët tanë amerikanë po punojnë me zell për të plotësuar të gjitha kriteret mjekësore dhe të sigurisë për numrin e vogël të mysafirëve të mbetur në këtë kamp brenda afatit kohore prej 365 ditëve për të cilën jemi dakorduar”, thuhet nga qeveria.

Afganët që plotësojnë kriteret do të vazhdojnë të nisen nga Kosova për në SHBA. pasi të kenë marrë certifikatat e nevojshme mjekësore dhe imunizimet.

Edhe në Shqipëri refugjatët e ardhur nga Afganistani po largohen. Nga 27 gushti deri më sot rreth 1000 janë larguar nga 2400 të ardhur.

Vetëm në 4 muajt e fundit janë larguar rreth 700 afganë. Pjesa më e madhe e tyre kanë shkuar në SHBA dhe Kanada, e më pak në vendet e Evropës.