Në parim, Qeveria Kurti miratoi sot nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Europës. Sipas njoftimit zyrtar, me këtë vendim Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ngarkohet të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim, bazuar në ligjet në fuqi. Më 16 mars, Federata Ruse u përjashtua nga ky Këshill, për shkak të agresionit në Ukrainë. Në mungesë të Moskës, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës. Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.
Raportohet se aplikimi do të bëhet së shpejti, me shumë gjasa gjatë ditës së sotme. Mundësinë e aplikimit të Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Europës e përmendi dje ne Bruksel presidenti i Serbisë. Aleksandar Vuçiç pretendoi se me këtë, vendi po shkel dy marrëveshje, të Brukselit e të Uashingtonit.
Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, me seli në Strasburg të Francës. I themeluar më 1949-ën, Këshilli mbron lirinë e shprehjes e të mediave, si dhe barazinë e pakicat në vendet anëtare. Kjo organizatë i ndihmon të luftojnë korrupsionin e terrorizmin, si dhe të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.
Grupi i ekspertëve për çështjet kushtetuese, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë. Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Europës nuk mund të bëjë ligje, por ka aftësinë të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.
Roli i Këshillit të Europës në raport me Kosovën është i njohur për publikun kosovar për shkak të një raporti që iu dorëzua këtij institucioni në vitin 2010 dhe ku përmenden krime të supozuara të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë “trafikimi i organeve njerëzore”, në periudhën janar 1998-dhjetor 2000.