Rajoni

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ​dërgon në Kuvend propozimin francez

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka dërguar për miratim në Kuvend propozimin francez për zgjidhjen e ngërçit RMV-Bullgari. Në një mbledhje të jashtëzakonshme, qeveria shqyrtoi kornizën negociuese dhe vendosi që ky propozim të shkojë në institucionin ligjvënës ku do miratohen konkluzionet lidhur me dokumentet e BE-së.

Partitë shqiptare dhe mazhoranca e mbështesin propozimin francez, ndërsa opozitarët e VMRO-DPMNE kërkojnë ndryshimin e tekstit për të garantuar ruajtjen e identitetit maqedonas, ku përshihen gjuha dhe historia.

Opozita akuzon qeverinë se po pranon një kompromis të dëmshëm për vendin, ndërsa të shumtë janë qytetarët maqedonas që kanë protestuar kundër këtij propozimi.

Propozimi i presidentit francez Emmanuel Macron mbërriti në Maqedoninë e Veriut më 30 qershor, e përmes tij synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike. Ngërçi RMV-Bullgari me vendosjen e vetos nga ana e Bullgarisë, ka penguar Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në procesin integrues për në BE. Me propozimin francez, ky ngërç synohet të zgjidhet në mënyrë që Shqipëria dhe RMV-ja të shkojnë drejt hapjes së negociatave.

Edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i bëri apel kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevskit që të mos refuzojnë propozimin e Macron për integrimin në BE.

“Mos refuzoni paraprakisht, para se të mendoni mirë për interesat kombëtare”, ka theksuar presidenti serb Aleksandar Vuçiç, në një intervistë për televizionin Sitel.

Ai nënvizoi se propozimi evropian nuk duhet refuzuar para se të mendohet mirë.

‘Unë normalisht nuk mund t’ju them nëse propozimi është i mirë apo jo, le të vendosë populli i Maqedonisë. Mund të them vetëm një gjë, kur pranuam Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013, ishte një marrëveshje shumë e vështirë për ne me shumë pika që njerëzit në Serbi nuk donin t’i dëgjonin apo pranonin. Qytetarët maqedonas, do të them përsëri, ata e dinë më mirë se unë nëse diçka është e mirë apo jo për interesat kombëtare të vendit të tyre. Unë thjesht po kërkoj nga njerëzit të mendojnë, të mendojnë për të mos pranuar apo refuzuar diçka apriori”, tha Vuçiç.