Aktualitet

Qeveria me Akt Normativ, kush vendos çmim të pamiratuar, humb pikën e karburantit!

Ndërsa në vend ka protesta kundër rritjes së çmimeve, kryeministri Rama ka mbledhur furnizuesit e naftës për t’iu bërë të ditur se për 24 orë do të dilet me Akt Normativ: Qeveria hyn në administrimin e furnizimit, bashkë me ta. Kush vendos çmim të pamiratuar, humb pikën e karburantit. Kjo bëhet përmes Bordit Kombëtar të Furnizimit me Naftë.

Unë mendoj që ju duhet të jeni të vetëdijshëm se i përkisni asaj pjese të shoqërisë që duhet të bëjë sakrificë. Kjo nuk është koha për të fituar, por për të rezistuar dhe për të ndarë pjesën tuaj të barrës. Ne kemi detyrimin të mbajmë barrën më të madhe, qeveria, të gjithë kanë detyrimin të mbajnë pjesën e tyre të barrës. Do të mbani pjesën tuaj se nuk mund të ndodhë që të fitoni asgjë më shumë seç ju duhet që të vazhdoni të furnizoni popullin shqiptar. Në këto kushte, brenda 24 orësh do kalojmë Akt Normativ e qeveria do hyjë në administrimin e  furnizimit bashkë me ju, përmes një Bordi Kombëtar të Furnizimit me Karburant. Nuk do ketë asnjë çmim të pamiratuar nga bordi: kush e bën do të humbasë pikën e karburantit.

Kryeministri Rama tha se “kriza më e madhe është energjetike” që po cilësohet si “pandemia e re”. Sipas Ramës, “qeveria ka vendosur që nga rritja e çmimit të energjisë të mos preken familjet dhe biznesi i vogël. Për këtë, deri në fund të vitit i duhen 640 milion dollarë”.

Lufta ka ardhur në Shqipëri me faturën e çmimit të energjisë, me faturën e çmimit të naftës e me ndikimin në të gjitha çmimet, ky është fakt! Rritja e çmimeve filloi të jepte shenjat e para në gjysmën e dytë të vitit të shkuar në të gjithë botën, si rezultat i një ringritjeje të fuqishme ekonomike pas pandemisë dhe për rrjedhojë, si rezultat i një kërkese shumë më të rritur se oferta. Disa muaj më parë u shfaqën edhe simptomat e para të krizës energjetike. Normal, ata që janë më të zëshëm në këtë shoqëri protestojnë për naftën, por më e rënda është kriza e energjisë, e cila po konsiderohet si pandemia e re. Nëse vjet ishte 52 euro për megavat/orë, në 520 euro për megavat/orë në tregun nga ku jemi të detyruar të importojmë, neve do ta na duhen 640 milion dollarë ekstra deri në fund të vitit, që është një Eurobond për të mbrojtur familjarët dhe biznesin e vogël. Këtë po bën kjo qeveri. Eshtë për të qarë kur kjo merret si diçka që është e mirëqenë. Ne do preknim pensionistët, fermerët, ata me ndihmë ekonomike, qindra e mijëra njerëz dhe motorin e vetëpunësimit, biznesin e vogël. Këta ne nuk i prekim për asnjë çmim. Nëse çmimi i energjisë do kthehet aty ku ishte para luftës, na duhen 290 milion ekstra!