Aktualitet

Qeveria merr vendimet për shpërblimet e fundvitit!

Në mbledhjen e qeverisë u miratua sot projektvendimi për shpërblimet e fundvitit për të gjithë kategoritë e pensionistëve. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj:

668 mijë pensionistë përfitojnë nga paketa e miratuar sot, që arrin në një vlerë 3.5 miliard lekë sa i takon pensionistëve dhe 400 milion lekë për të gjitha kategoritë e tjera. Janë afërsisht 40 milion dollarë që alokohen për shpërblimet e fundvitit, për pensionistët e paketën e ndihmës ekonomike, si dhe personat me aftësi të kufizuar.

Pensionistët do të marrin 5 mijë lekë shpërblim këtë fundvit, ndërsa familjet në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuara, nga 3 mijë.

Zv.kryeministri Arben Ahmetaj tha se “qeveria ka ndërmarrë disa vendime të rëndësishme, në kuadër të programit të Rindërtimit”.

Sot i janë akorduar likuiditete Bashkisë Tiranë, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë së Kamzës për shkollën “Demokracia”. U akordua fondi 3.2 miliard lekë, që bën të mundur procesin e rindërtimit, për të kapur atë objektiv që kemi pasur për të mbyllur të gjithë Rindërtimin vjeshtën që vjen. Buxheti me ndryshimet e veta për Rindërtimin ka shkuar në vlerën e 35 miliard lekëve.

Gjithashtu, Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime për kriteret dhe shpërblimet e sportistëve. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi:

Kemi lajme të mira për sportin e veçanërisht për sportistët elitarë, ata që përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë, që ngrenë lart flamurin tonë kuqezi në arenën ndërkombëtare, në kampionate ndërkombëtare, qofshin këto ballkanike, europiane apo botërore.

Miratuam disa ndryshime në kriteret dhe shpërblimet për sportistët, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë dhe trajnerët e tyre. Qëllimi është t’i motivojmë sa më shumë sportistët e t’u krijojmë mundësi, për të ushtruar sportin e për të patur rezultate sa më të mira në gara ndërkombëtare.

Masat e shpërblimit janë parashikuar sipas fashave të rezultateve në secilin prej kampionateve ballkanik, europian apo botëror. Në mënyrë të veçantë, dua të ndalem te peshëngritja. Me anë të këtij vendimi, për herë të parë sportistët medalistë do të shpërblehen për të gjitha garat: shtytje, shkëputje e dygarësh, ndërsa me vendimin e mëparshëm, shpërbleheshin vetëm për dy-garëshin.

Edhe ata sportistë që e kanë përfituar statusin e nivelit të lartë, pas hyrjes në fuqi të ligjit, të trajtohen sipas këtij vendimi. Kjo do të thotë që Briken Calja, i cili sapo u shpall kampion do të vlerësohet si sportistët e tjerë europianë apo botërorë, sipas rregulloreve ndërkombëtare.