Aktualitet Lajmet e fundit

Qeveria merr vendimin e rëndësishëm për uljen e notës mesatare/Përfituesit!

Këshilli i Ministrave miratoi sot një ndryshim,  i cili përcakton notën mesatare për maturantët, që duan të vazhdojnë studimet e larta në universitete.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi:

Me reformën e mësuesisë të vitit 2017, sot të gjithë maturantët që duan të vazhdojnë për mësuesi, duhet të kenë minimumin e mesatares 7.5, por ndërkohë që shqetësimet që kemi pasur nga universitetet lidhen me faktin se në këto programe jo të gjithë maturantët që regjistrohen duan të bëhen mësues.

Jemi të gjithë dakord që mësuesit duhet të jenë më të mirët dhe kemi dakordësi edhe me universitetet që kriteri për ata që duan të bëhen mësues duhet të jetë 7.5, por në këto programe mund të hyjnë edhe ata maturantë që duan të vazhdojnë edhe një profesion tjetër. Pra, jo të gjithë ata që vazhdojnë për gjuhë të huaj duan të bëhen mësues, për të vazhduar masterin në mësuesi, ka nga ata që duan të vazhdojnë masterin për përkthyes. E njëjta gjë është edhe me programet gjuhë letërsi, jo të gjithë ata që shkojnë për gjuhë letërsi duan të behën mësues, ka nga ata që janë të apasionuar pas letërsisë dhe duan të punojnë në një shtëpi botuese, të shkruajnë apo diçka tjetër.

Me vendimin e sotëm, ne i japim mundësinë edhe maturantëve që mbarojnë studimet me mesatare 6.5, të hyjnë në këto programe, por ata do të kenë një kod të veçantë në numrin e matrikulimit, që më pas të mos vazhdojnë për mësuesi, por të vazhdojnë për programe të tjera të ciklit të dytë master për profesione tjera.

Eshtë një ndryshim që e kemi dakordësuar edhe me vetë universitetet e presim që në vitin e ardhshëm akademik, numri i studentëve që regjistrohen në këto programe, të jetë më i lartë, sepse në këto vite ka qenë shqetësim nga universitetet që numri i regjistrimeve ka qenë shumë i ulët, pikërisht për shkak të këtij kufizimi të mesatares.

Sa i takon mësuesve, ne përsëri jemi shumë rigorozë dhe kërkojmë që mësues të bëhen më të mirët. Mësues do të vazhdojnë të jenë maturantët që kanë mesatare minimumi 7.5. Ndërkohë që në këto programe ne do t’i hapim edhe për të tjerët që duan të marrin profesione të tjera, por të studiojnë për gjuhë të huaj, për bio-kimi, matematikë, fizikë, etj.

Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, “nisur nga shqetësimet e ardhura nga institucione të arsimit të lartë për kriteret e pranimit në këto programe, me propozim të Ministrisë së Arsimit, u sollën disa ndryshime”.

Për ata që synojnë të bëhen mësues, mesatarja e pranimit në këto degë do të vijojë të jetë 7.5, por për studentët e tjerë që synojnë të vijojnë studime për një tjetër profesion si përkthyes, psikolog, punonjës social, ciceron, historian, gjeograf, etj, kjo mesatare pranimi mund të jetë minimalisht 6.5.

Me këtë vendim mbahet e njëjtë dhe e panegociueshme mesatarja për pranimin në degët e mësuesisë për ata që synojnë të bëhen mësues.