Aktualitet

Qeveria merr vendimin për kalimin e studimeve albanologjike në Akademinë e Shkencave!

Qeveria transferon Studimet Albanalogjike në Akademinë e Shkencave. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi informoi mbi vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave lidhur me riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) në Akademinë e Shkencave.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave miratuam një vendim, i cili ditët e fundit pati shumë debate, diskutime madje edhe dezinformime e spekulime për riorganizimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike. ASA nuk plotëson kriteret për të qenë institucion i arsimit të lartë. Synimi është ta ngrejmë albanologjinë shqiptare në një nivel të ri sa i takon vlerave dhe identitetit tonë kombëtar.

Në mënyrë të vazhdueshme, kërkuam që ky institucion i arsimit të lartë të riorganizohej për t’u përputhur me kriteret ligjore të ligjit për Arsimin e Lartë. Por, ASA nuk arriti të riorganizohej për të qenë në respekt të ligjit.

Në janar 2023, MAS filloi një kontroll ligjshmërie. Në ASA u konstatuan një sërë problematikash, shkelje të rënda ligjore si të llojit të strukturës apo organizimit, por edhe nga ana e funksionimit administrativ e financiar.

Sot që flasim dhe asnjëherë, ASA nuk ka pasur një fakultet, që është detyrimi i parë ligjor që të ketë një fakultet e në asnjë prej mjediseve të saj nuk ka mësimdhënie, që e bën të pamundur të vazhdojë të funksionojë si institucion i Arsimit të Lartë. ASA është e paakredituar si nga ana institucionale dhe e programeve të studimit.

Nëse nuk ka regjistrime për dy vite, institucioni duhet të aplikojë në MAS për të mbyllur programin, as këtë nuk e ka bërë. Ka një sërë argumentesh që e bëjnë të pamundur ekzistencën e ASA-s si një institucion të Arsimit të Lartë.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, ne sot po e riorganizojmë këtë Akademi duke i vendosur institutet dhe njësitë përbërëse të saj si njësi autonome pranë Akademisë së Shkencave. Vendimi i Këshillit të Ministrave garanton transferimin e të gjitha drejtave, pasurive të luajtshme, të paluajtshme, personelin e të gjitha transferohen te Akademia e Shkencave.

Doktorantët që janë në proces dhe që duhet të kishin mbaruar prej kohësh sepse kanë tejkaluar afatet ligjore do t’i mbështesim e transferojmë dhe do të jetë MAS garant që të transferohen në institucione të Arsimit të Lartë, që ofrojnë programe doktorature.

Garantoj të gjithë punonjësit e ASA-s se do të kenë mbështetjen tonë maksimale. Ky vendim jo vetëm e sjell në ligjshmëri albanologjinë, por e ngre në një nivel më të lartë.