Politikë

Qeveria “Rama 3” merr votëbesimin e Kuvendit, 77 vota pro dhe 53 kundër për programin qeverisës 2021-2025.

Me 77 vota pro, 53 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi ka miratuar programin e qeverisë “Rama 3” pas një seance maratonë  që zgjati rreth 20 orë.

Është votuar me 77 vota pro qeveria dhe programi qeverisës “Rama 3”, pas një seance maratonë në sallën e Kuvendit, e cila nisi prej orës 10:00 të ditës së djeshme dhe përfundoi në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Në fund të seancës maratonë, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, bëri të ditur rezultatin, prej ku 77 deputetë kanë dhënë votën pro programit të qeverisë së re, 53 kanë votuar kundër dhe 1 abstenim.

Seanca plenare maratonë e nisur dje paradite ka përfunduar mëngjesin e sotëm në orën 06.37. Pas prezantimit të programit qeverisës nga Kryeministri Rama, ministrat e tij i janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve për projektet e bëra publike, ndërsa seanca vijoi me debatet mbi programin. Në fokus të programit ishte rritja e pagave, të pensioneve, investimet në infrastrukturë, por dhe fuqizimin e rolit të gruas, në seancën që u ndoq dhe nga bashkëshortja e kryeministrit Linda.

Kjo seancë maratonë është ndërprerë 2 herë pas kërkesës së opozitës, kjo sepse kryedemokrati Lulzim Basha refuzoi që të fliste pa qenë kryeministri Edi Rama në Kuvend, që pas insistimit të tyre duke bllokuar edhe foltoren me deputetin Enkelejd Alibeaj, erdhi pas 2 orësh.  Me ardhjen e kryeministrit në seancë opozita ka nisur debatete, me Lulzim Bashën hodhi sërish akuza të përsëritura ndaj qeverisë, duke e quajtur Ramën “ekzekutor të zgjedhjeve” dhe vrasës i demokracisë.

Sa i përket programit qeverisës kryedemokrati deklaroi se nuk mund të quhet i tillë, pasi sipas tij i vetmi program që ka PS është vijimi i plaçkitjes. Mirëpo kjo akuzë mori një përgjigje nga kryeministri, i cili nuk nguroi që ta ngacmonte sa i përkret zhvillimeve që janë regjistruar së fundmi në PD-në. Kjo edhe për faktin se gjatë kohës që Lulzim Basha fliste në Kuvend, nga ana  tjetër ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur ‘Non Grata’, po zhvillonte takimin e tij të parë më anëtarët e demokratëve në hotel ‘Rogner’ për të kundërshtuar përjashtimin e tij nga grupi parlamentar dhe largimin e Bashës nga drejtimi i partisë.

Sinqerisht si mund të vihet të flitet në emër të opozitës në këtë moment që ju e quajtët shumë të rëndësishëm me një fjalim që 3 çereku është copy paste nga fjalimet e fushatës pastaj disa pjesë nëpër të që janë përsëritje që mund të jetë shkak i stresit. Ke boll kumrie kështu që këtu ndalem, i tha Rama më herët.

Tashmë me votëbesimin nga Kuvendit, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat do të betohen para Presidentit, të cilin e shkarkuan vetëm pak muaj më parë. Socialistët kanë arritur që të marrin 74 mandate, të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, pa pasur nevojën e një koalicioni, e ndërsa PD 59 mandate, kurse LSI vetëm 4 të tilla.