Aktualitet Politikë

Qeveria “Rama 3” nis punën, ja vendimet e para!

Në të parën mbledhje të kabinetit “Rama 3” u morën sot disa vendime, mes të cilëve veçohet ai për fëmijët jetimë nën 18-vjeç, prindërit e të cilëve ranë në krye të detyrës. Këtu përfshihen dhe ata të mjekëve, infermierëve apo personelit shëndetësor, që ndërruan jetë nga COVID-i. Tashmë, vendoset të marrin pagën e prindit që kanë humbur.

Do përfitojnë të gjithë jetimët nën moshën 18-vjeç, sipas kategorive të fëmijëve apo personave, nën kujdestari të një personi të njohur me statusin “Dëshmor i Atdheut”, fëmijë të personave nën kujdestari të mjekëve, infermierëve apo personelit mbështetës që kanë humbur jetën si rezultat i COVID-19, marrë gjatë apo për shkak të kryerjes së detyrës.

Fëmijët apo personat nën kujdestari të një prindi që ka humbur jetën në përpjekje për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin dhe mbrojtjen e jetës së të tjerëve, si një akt vetëmohimi.

Fëmijët apo personat në kujdestari të një prindi që ka humbur jetën si pasojë e kryerjes me përgjegjshmëri të funksionit në mbrojtje të rendit publik.

Personat që u përkasin kategorive përfituese, pavarësisht nëse prindi e ka humbur jetën përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji do të trajtohet në mënyrë retroaktive.

Personat e mitur, prindi i të cilëve i përket kategorisë mjek, infermier apo personel shëndetësor që ka humbur jetën, qoftë dhe përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji si rezultat i COVID-19 do të trajtohet në mënyrë retroaktive.

Ata me statusin e fëmijës nën përkujdesjen e Republikës do të marrin rrogën e plotë të prindit, deri në moshën 18-vjeç.

Po ashtu u vendos që në Forcat e Armatosura të përfshihen xhudistet nga Kosova, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, të cilat fituan Medalje Ari në Olimpiadën e Tokios. Ndërkaq, qeveria mori vendim për krijimin e Agjencisë për Mediat dhe Informim, bazuar në disa modele të suksesshme në Itali e Gjermani që garantojnë transparencën në lidhje me politikat, qëllimet apo problematikat e lidhura me veprimtarinë e Këshillit të Ministrave.

Mbledhjen e sotme, Rama e nisi me kërkesën që ministrat të respektojnë Kodin Etik. Në rastin e parë të shkeljes, duhet të kërkojnë ndjesë publike, ndërsa në të dytin, largohen nga qeveria. Po ashtu, dhuratat e marra gjatë kohës në detyrë do të vendosen në Muzeun e Kryeministrisë.

Sa i përket reagimit ndaj akuzave të Opozitës, Rama u shpreh:

Nuk do t’i kundërpërgjigjemi me formatin e vjetër të fletërrufeve, të konferencave të shtypit të opozitës. Formati i vjetër e ka mbushur dhe derdhur kupën e durimit të popullit me akuza e kundërakuza që ta neverisin politikën.

Nuk duam të çojmë dëm asnjë orë me “e lagu apo s’e lagu opozita”. Qeveria do të ketë një faqe online ku do të kemi një rubrikë për injorimin e publikut. Do të përgjigjeni me shkrim! Kush nuk thotë të vërtetën do të marrë edhe përgjegjësitë morale, institucionale e ligjore, nëse faktet faktojnë të kundërtën.

Më tej, Rama vuri në dukje se ministrat që dalin jashtë kornizës së ligjit, duhet të përballen vetë me të gjitha sanksionet, pasi nuk do të kenë pas vetes për mbështetje as Kryeministrin e as Partinë Socialiste. Më tej bëri një sqarim për qëndrimet individuale që bien ndesh me të përbashkëtat:

Një shkelje etike e mandatit të shkuar ka qenë largimi i disa ministrave me letra individuale drejt komisionit apo qëndrime individuale në mosdakordësi të vendosura këtu. Ju siguroj se në çdo kod etik, kjo konsiderohet fyerje e rëndë e vijës së sjelljes në qeveri.