Aktualitet

Qeveria shqiptare miraton ndihmën 1 milion euro për Ukrainën!

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për dhënien e ndihmës financiare humanitare prej 1 milion eurosh për Ukrainën, vend që përballet me agresionin rus prej datës 24 shkurt. Në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në programin buxhetor “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, tashmë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 1 milion eurosh.

Ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2022. Për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi menjëherë ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Vendimi për të ndihmuar Ukrainën u dha nga Kryeministri Edi Rama në Konferencën e Donatorëve për Ukrainën në Varshavë, Poloni, ku theksoi:

E di se kjo nuk do të ndryshojë fatin e luftës dhe të rindërtimit, por ne jemi shumë të nderuar që jemi këtu dhe u jam shumë mirënjohës kryeministrave të Polonisë e Suedisë që na bënë pjesë të saj.

Ndërsa në Ukrainë luftohet, qyteti i Mariupolit është në rrezik serioz pasi mund të ketë një shpërthim kolere. Kjo në kohën kur “Rusia nuk po arrin të ofrojë shërbime publike bazë për banorët e rajoneve që ka pushtuar në Ukrainë”, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

Ukraina vuajti një epidemi kolere në vitin 1995 dhe që atëherë, ka përjetuar përhapje vatrash më të vogla, veçanërisht rreth bregut të detit Azov e që përfshin edhe Mariupolin. Sipas ministrisë britanike, “raste të izoluara janë raportuar në qytet, që nga muaji maj”.

Tashmë, shërbimet mjekësore në Mariupol janë pranë kolapsit: një shpërthim i madh kolere në Mariupol do ta përkeqësojë më tej situatën.

Mariupoli ra në duart e forcave ruse në maj, pas bombardimeve të vazhdueshme. Autoritetet ukrainase thanë se “situata humanitare në Mariupol po përkeqësohej, për shkak të mungesës së ushqimit dhe ujit”. Ministria britanike e Mbrojtjes tha gjithashtu se “rajoni i pushtuar i Khersonit po vuan një mungesë medikamentesh”.