Aktualitet

Qeveria shqiptare miraton vendimin për lëvizjen në Ballkanin Perëndimor vetëm me kartë identiteti!

Qytetarët në Ballkanin Perëndimor do të mund të lëvizin në rajon vetëm me kartë identiteti. Nga qeveria shqiptare miratohet marrëveshja e nënshkruar nëntorin e kaluar në Berlin. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të gjithë qytetarët në Ballkanin Perëndimor do të mund të qarkullojnë lirisht në Shqipëri vetëm me kartë identiteti. Çuçi përmendi edhe miratimin e planit të veprimit kundër krimit të organizuar e krimeve të rënda 2023-2025.

Miratuam dy vendime të rëndësishme që lidhen me rritjen e sigurisë në rajon, por edhe lehtësinë e lëvizjes në Ballkanin Perëndimor. I pari ka të bëjë me lëvizjen  lirë të shtetasve në BP vetëm me ID. Eshtë marrëveshje e nënshkruar në Berlin nëntorin e vitin e kaluar dhe tani qeveria shqiptare e miraton. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të gjithë shtetasit e BP mund të hyjnë e qarkullojnë lirisht në Shqipëri vetëm me kartë identiteti.

I dyti ka të bëjë me marrëveshjen e nënshkruar me Maqedoninë  e Veriut për krijimin e task-forcave për të adresuar luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Eshtë marrëveshje që duhet të ratifikohet në Kuvend.

Një vendim i tretë ka të bëjë me miratimin e planit të veprimit kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda 2023-2025. Plan i hartuar me kujdes edhe me partnerët. Do të krijohet agjencia për rikuperimin e aseteve apo për trajnimin në fushën kibernetike.

I pyetur në lidhje me çmontimin e kamerave të sigurisë të vendosura nga grupet kriminale, Çuçi tha se nuk janë evidentuar pasi ka patur një kamuflim, por theksoi se në këtë mënyrë po i dërgohet mesazh botës së krimit se nuk mund të veprojnë të lirë.

Pati një lloj kamuflimi se sa i takon bizneseve është detyrim ligjor që të mbajnë kamera që survejojnë ambientin. Duhet t’ia lëmë  këtë gjë të shkuarës dhe të shohim për këtë punë që po bën policia, për t’i dhënë një tjetër mesazh krimit të organizuar dhe çdo shkelësi të ligjit që s’ka hapësira për të krijuar një mjedis ku mund të veprojnë të lirë.