Rajoni

Qindra mijëra persona në protestën antiqeveritare në Serbi, kërkohet dorëheqja e Vuçiçit!

Për të pestën herë në një muaj, qindra mijëra njerëz u mblodhën në Beograd për të protestuar për dy vrasjet masive që tronditën kombin. Por, presidenti Aleksander Vuçiç ka hedhur poshtë çdo përgjegjësi e shpërfilli kërkesat e protestuesve për të dhënë dorëheqjen.

Me parulla kundër tij, protestuesit parakaluan në rrugët e kryeqytetit serb dhe u mblodhën para selisë së Vuçiçit në qendër të Beogradit. Ata lëshuan një tullumbace të madhe me mbishkrimin: Vuçiç, ik! Studentë të universitetit drejtuan marshimin, duke mbajtur një pankartë ku shkruhej: Serbia kundër dhunës!

Protestuesit e opozitës kërkojnë dorëheqjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe heqjen e licencave të transmetimit për rrjetet televizive për të cilat thonë se “promovojnë dhunën” e “lavdërojnë figurat e krimit”.

Protesta e radhës, ndër më të mëdhatë deri tani ishte disi ndryshe nga ato të mëparshmet. Gazetarët e pavarur raportuan praninë e grupeve të krahut të djathtë, të infiltruar për të promovuar axhendën e tyre nacionaliste. Analistët thonë se disa nga këto grupe kanë lidhje të ngushta me shërbimin serb të sigurimit.

Pati raportime për mbështetës të ultranacionalistëve që sulmuan me shkop, një gazetar të huaj. Disa nga agresorët kishin bluza me mbishkrimin rus Z, simbol i agresionit rus në Ukrainë.

Protestuesit lanë qindra mesazhe për presidentin Vuçiç, shumë prej tyre duke i bërë thirrje të jepte dorëheqjen. Një protestë e re është planifikuar për javën e ardhshme, në atë që po bëhet një sfidë gjithnjë e më serioze për Vuçiçin, ndoshta më e madhja me të cilën është përballur që nga ardhja në pushtet, 11 vjet më parë.

Opozita e akuzon për nxitje të mungesës së tolerancës e gjuhës së urrejtjes gjatë qeverisjes së tij gjithnjë e më autokratike dhe se në mënyrë të paligjshme ka marrë kontrollin mbi të gjitha institucionet shtetërore. Vuçiç e mohon këtë, duke pretenduar se grupet opozitare duan rrëzimin e tij me forcë.

Ata nuk do të më trembin kurrë!

Dy masakrat e datave 3 dhe 4 maj tronditën vendin, veçanërisht sulmi i parë në një shkollë fillore në qendër të Beogradit, ku një 13-vjeçar mori armën e babait të tij dhe hapi zjarr. Nëntë nxënës dhe një roje shkolle u vranë, gjashtë të tjerë u plagosën.

24 orë më vonë, një 20-vjeçar përdori një armë automatike për të qëlluar mbi njerëzit në dy fshatra në jug të Beogradit, duke vrarë tetë persona e plagosi 14. Autoritetet serbe kanë nisur mbledhjen e dërguan policinë në shkolla, në një përpjekje për të rritur një ndjenjë sigurie.

Serbia është e mbushur me armë të mbetura nga luftërat e viteve ‘90. Masat e tjera përfshijnë kontrolle më të forta mbi pronarët e armëve dhe poligonet e qitjes, një moratorium për licencat e reja e dënime të ashpra për posedim të armëve të paligjshme.