Aktualitet

Qindra të helmuar në Krujë, dyshimet te uji i pijshëm!

Nga mëngjesi i së dielës, numri i pacientëve të paraqitur me simptoma helmimi ka shkuar në mbi 370, mes tyre 60 fëmijë. 30 janë të shtruarit. Pavarësisht fluksit të qytetarëve që i drejtohen Urgjencës për të marrë ndihmë mjekësore, drejtoresha e Spitalit të Krujës, Yllka Sheta shprehet se gjendja është nën kontroll.

Kjo situatë vijon që nga e diela në mëngjes. Nuk ka patur raste të rënda që t’i dërgonim për mjekim të specializuar në Tiranë, marrin të gjithë shërbimin këtu. Gjendja është nën kontroll!

Pacientët ankohen për dhimbje të forta barku e koke dhe pohojnë se kanë pirë ujë nga çezma.

Mjekët e Urgjencës në Krujë pohojnë se pas trajtimit, përgjithësisht pacientët rikthehen në shtëpi, në gjendje më të përmirësuar shëndetësore.

Kemi patur fluks të rritur të personave që kanë ardhur me diarre, të vjella, dhimbje barku. Të shtruar në spital janë pak, pasi pjesa më e madhe kanë marrë mjekimin dhe pas përmirësimit kanë ikur në shtëpi. Të thuash epidemi është fjalë e madhe, por mund të themi një endemi e vogël.

Në Krujë shkoi Ministrja e Shëndetësisë. Ogerta Manastirliu tha se sa i përket hetimit epidemiologjik, të gjitha strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë e Bashkisë po kryejnë investigimet në çdo pistë.

Janë marrë mostrat e ujit dhe ushqimeve, po pyeten qytetarët se çfarë kanë konsumuar. Do të kemi rezultat përfundimtar kur të kemi atë të analizave mikrobiologjike. Nëse shtohen rastet, pacientët do të dërgohen në një pavion të spitalit të Durrësit.

Dyshimet e para për helmimin e qytetarëve në Krujë lidhen me ujin e pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit, që në qytet konsumohet masivisht. Nga Shëndeti Publik janë marrë disa mostra të ujit të rrjetit, të cilat u dërguan për ekzaminim e ndërkohë është ndërprerë furnizimi, deri në daljen e përgjigjeve zyrtare.

Lidhur me atë që po ndodh në Krujë reagoi edhe Presidenti i Republikës. Ilir Meta kërkon të gjenden shkaktarët!

Me shqetësim po përcjell helmimin në masë të banorëve të Krujës, një situatë alarmante, që duhet trajtuar me shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga institucionet shtetërore përgjegjëse për shëndetin publik, por edhe nga drejtësia.

Qytetarëve të helmuar, ju uroj shërim sa më parë dhe tejkalimin pa pasoja të rënda dhe afatgjata, si dhe ju shpreh familjeve të tyre të gjithë solidaritetin!

Mbështes dhe përgëzoj ekipet mjekësore për kujdesin dhe profesionalizimin e dëshmuar derimë tani dhe i nxis shërbimet shëndetësore epidemiologjike dhe ato të mjekësisë ligjore të zbardhin sa më parë burim shkakun dhe shkaktarët dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë, që përbën një kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare.