Një shtetas me banim në Bulqizë ra në prangat e policisë Dibër, i akuzuar se shantazhonte një 33-vjeçare se do t’i publikonte foto e video private në rrjetet sociale nëse nuk i jepte 5 mijë euro. Pas denoncimit, uniformat blu e arrestuan për veprat penale të “Përndjekjes” e “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. 30-vjeçari i arrestuar rezulton i dënuar më parë për trafik narkotikësh në Zvicër, si dhe ka qenë shtatë herë i shpallur në kërkim për disa vepra penale.
Njoftimi zyrtar i policisë:
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe DVP Dibër, në vijim të punës për goditjen e krimeve kibernetike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Phone fiend”.
Gjatë operacionit u ndalua shtetasi I.V., 30 vjeç, banues në Bulqizë, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, parashikuar nga nenet 121/a/2 dhe 109/b.
Ky shtetas më përpara ka qenë shtatë herë i shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale dhe i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve në shtetin zvicerian.
Ai dyshohet se ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, një 33-vjeçare dhe familjarët e saj, për mospublikimin e disa fotove dhe videove personale të 33-vjeçares, në rrjete sociale.
Fenomeni i shantazheve me përhapje të fotove e videove intime në rrjetet sociale përbën një shqetësim në rritje me raste të përsëritura që vazhdimisht denoncohen e iu bëhet jehonë në media. Padyshim që ndër më të rëndët mbetet ai i 27-vjeçares Sibela Abedini në Kamëz, nënë e një fëmije që në shkurt të këtij viti i dha fund jetës, e shantazhuar në TikTok nga Altin Çoku.