Aktualitet

Rama: “Ballkani i Hapur funksionon!”

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Ballkani i Hapur funksionon dhe do funksionojë gjithmonë e më mirë”. Në një intervistë të dhënë pas takimeve të zhvilluara në Bruksel ku mbrëmë iu bashkua darkës informale të kryediplomatit europian Josep Borrell me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Rama u shpreh:

Ballkani i Hapur funksionon dhe do funksionojë gjithmonë e më mirë. Tani ne presim që edhe Mali i Zi t’i bashkohet, domethënë është çështje kohe, unë e kam thënë gjithmonë, është çështje kohe që t’i bashkohen të gjithë në fakt se nuk ka ku shkon tjetër kjo punë, përveçse tek kooperimi, tek bashkëpunimi, kështu që sigurisht që është humbje kohe patjetër për ata që ngurojnë apo refuzojnë të bashkohen, por ne nuk kemi kohë për të humbur.

Kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën!

I pyetur nëse do të asistojë apo ndihmojë Bashkimi Europian, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, nisur nga zhvillimet dhe pasojat që mund të vijnë nga lufta Rusi-Ukrainë e në çfarë forme, Rama deklaroi:

Bashkimi Europian është një makineri e rëndë dhe e madhe, që edhe kur ka kthesa për të marrë, i merr shumë ngadalë, por prej disa kohësh, ne kemi punuar me disa kryeqytete, duke bërë disa propozime tonat sepse ka edhe një vullnet të ri për të dëgjuar nga ne dhe kur them nga ne, nuk kam parasysh vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e tjera, por edhe duke pasur parasysh faktin që ne tani kemi garantuar një akses të drejtpërdrejtë me kancelarinë kryesore dhe kemi një dialog të vazhdueshëm, pra nuk jemi më në kohën kur një bisedë mes kryeministrit të Shqipërisë dhe Kancelarit apo Presidentit të Francës ishte një ngjarje e madhe për të cilën flitej në televizor, bëheshin njoftime për shtyp. Sot këto janë rutinë, por nga ana tjetër gjithçka është e hapur dhe gjithçka mund të ndodhë. Mund të ndodhë që të ketë një ndryshim të rëndësishëm. Mund të ndodhë që mund të mos ndodhë asgjë, kjo është e gjitha për t’u parë.