Pasò

Rama ik…! Gregu në Pasó: “Nuk më vjen mirë, por jemi në demokraci”

Derbi Tirana-Partizani ishte tema e emisionit sportiv “Pasó” në Top Albania Radio. Gjatë gjithë emisionit pati të ftuar të cilët komentuan ndeshjen, stadiumin pa tifozë dhe për më tepër dhanë mendimin e tyre se kush mund ta fitojë këtë ndeshje.

Një i ftuar special ishte djali i kryeministrit Greg Rama, i cili është tifoz i zjarrtë i skuadrës së Tiranës. Gjatë diskutimeve Gregut iu përmend fakti se pse është me Tiranën, ndërsa xhaxhai i tij është drejtor i përgjithshëm i Partizanit. Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje Gregu kërkoi të jepte një shpjegim njëherë e mirë për të gjithë, me tre arsye kryesore:

“E para, Tirana është persekutuar 50 -vjet nga Ministria e Mbrojtjes dhe e Brendshme, e dyta Tirana është identitet dhe nuk është ideologji dhe meqenëse xhaja im ka zgjedhur ideologjinë, unë do të mbaj identitetin, se ‘baba’ është jashtë loje, ngaqë Dinamon e mori lumi…. (qesh) dhe e treta se pse jam me Tiranën është se më pëlqejnë lojtarët e huaj të veshur me fanellën bardheblu.”

Përveç ndeshjes dhe tifozllëkut për Tiranën, Denis Dyrnjaja e pyet Gregun se çfarë mendimi ka për ata që thërrasin “Rama ik”.

(Gregu qesh…) “Nuk më vjen mirë, por duhet ta pranojmë që jemi në demokraci, këtë ja them edhe vetes edhe shokëve të mi. Mendimi është i lirë…”

 

Në fund të intervistës Gregu e mbyll me një shprehje shumë domethënëse për të komentuar edhe ndeshjen e sotshme Tirana-Partizani, duke shtuar:

” Edhe nëse fiton Partizani, Tirana nuk humbet…”