Aktualitet Politikë

Rama ikën nga Kuvendi, Basha refuzon të flasë pa praninë e Kryeministrit!

Ka rinisur dhe është ndërprerë pas rreth 17 minutash debat seanca parlamentare maratonë. Shkak është bërë mungesa e kryeministrit Edi Rama.

PD ka kërkuar menjëherë ndërprerjen e seancës dhe kthimin e kryeministrit në parlament për të dëgjuar opozitën. Kreu i grupit parlamentar të PD Alfred Rushaj tha se opozita e respektoi detyrimin kushtetues dhe tani është radha e kryeministrit.

“Opozita ndenji në seancë dhe dëgjoi lloj-lloj gjërash që vetëm me programin nuk kishin të bënin. Kërkojmë që të ndërpritet seanca, të vijë kryeministri dhe të dëgjojë propozimet e opozitës”, deklaroi Rushaj.

Nga ana tjetër kreu i PD Lulzim Basha, të cilit i është dhënë fjala nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla nuk ka pranuar të flasë pa ardhur kryeministri në sallë.

Pas disa debatesh, Nikolla u njoftua nga Kryeministria se Rama do të jetë në orën 17:00 në sallën e parlamentit dhe ka kërkuar vijimin e diskutimeve nga deputetët, duke sugjeruar që kreu i PD të flasë pasi të vijë kryeministri. Nga ana tjetër PD kërkoi pushim për të marrë një vendim, një pushim deri sa të shkonte ora 17:00, ndërsa Nikolla ka vendosur 15 minuta pushim.