Aktualitet

Rama me presidentin izraelit Hercog: Mbështesim armëpushimin!

Pas takimit me Begajn, presidenti izraelit Hercog u prit në kryeministri nga Rama. Gjatë konferencës së përbashkët, shefi i qeverisë shprehu mbështetjen për Izraelin dhe luftën kundër terrorit.  Rama tha se lufta duhet të marrë fund sa më shpejt.

Shqipëria është një mbështëse mjaft e madhe e armëpushimit dhe e çdo përpjekje të mundshme për të sjellë në shtëpi pengjet e për të nisur një proces të ri për të mirën e të gjithë njerëzve. Kemi qenë, jemi e do të vazhdojmë të jemi përherë në mënyrë të palëkundur kundër çdo forme e mënyre antisemitizmi, po kështu kundër çdo lloj shprehje intolerance a paragjykimi kundër hebrenjve.

Jemi sigurisht shumë të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku populli i Izraelit e populli i Palestinës jetojnë është absolutisht shumë e rëndë dhe diçka duhet të marrë fund sa më shpejt. Nga ana tjetër jemi mjaft të vetëdijshëm se kjo është më e lehtë të thuhet se të bëhet dhe se lufta e fitorja kundër terrorit është shumë më e vështirë se sa mund të duket nga larg.

Kryeministri tha se ndërkohë që këto janë janë kohë mjaft të vështira për Izraelin, popullin e tij e për të gjithë popujt që jetojnë në atë kënd të botës, e ardhmja do të jetë me siguri një e ardhme e një Izraeli më të fortë e më të sigurt, e pa asnjë dyshim në një rajon më të begatë, të paqtë e vizionarë.

Rama vlerësoi se marrëdhëniet me popullin hebre janë pjesë e historisë krenare të vendit tonë.

Ato kanë shkruar një faqe shumë të bukur në historinë e botës duke qenë vendi europian i vetëm që kishte më shumë hebrej pas Luftës së Dytë Botërore se më parë. Jemi shumë krenarë që paraardhësit tanë, qofshin myslimanë a të krishterë, kapërcyen çdo lloj kufizimi fetar apo të një lloji tjetër dhe mbrojtën hebrenjtë dhe asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.

Teksa falënderoi Shqipërinë për mbështetjen, presidenti Izraelit tha se Irani ka një fiksim mizor anti-semit.

Hija e gjakut që lidh të gjithë agjentët e urrejtjes është Irani dhe fiksimi i tij anti-semit në shkatërrimin e shtetit të Izraelit dhe këtu në Shqipëri e dini mjaft mirë këtë regjim. Por, marrëdhëniet tona nuk fillojnë e mbarojnë aty. Shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori të madhe, hebrenjtë e mbarë Europës gjetën vend gjatë Holokaustit në Shqipëri.

Jam shumë i kënaqur që jemi këtu dhe me një rritje të konsiderueshme të lidhjes sonë në shumë forma të jetës sidomos në fushën ekonomike. Në delegacion me mua ka anëtarë mjaft të rëndësishëm biznesi në këtë udhëtim dhe kjo tregon shumë për afërsinë tonë. Ne sot diskutuam shumë gjëra edhe me presidentin tuaj dhe me ju Edi që jeni miku im i dashur. Populli izraelit nuk do ta harrojë kurrë si ju dhe populli shqiptar kanë qëndruar krah nesh në kohë të vështira. Më lejoni që ta mbyll fjalën time në shqip: “Falëminderit për mbështetjen ndër vite!”