Politikë

Rama në grykëderdhjen e Vjosës: Dëme të minimizuara nga investimet në argjinatura

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot nga afër situatën në urën e Mifolit, ku si pasojë e fryrjes së ujërave të lumit Vjosë u shkaktuan përmbytje në disa qindra hektarë në zonën e Fierit dhe të Vlorës.

Duke përgëzuar punën e të gjitha forcave të angazhuara, Rama theksoi se “në grykëderdhjen e Vjosës, falë investimeve të kryera për argjinaturat e reja dhe mirëmbajtjen e sistemit të rivendosur prej disa vitesh në punë të kullimit, bilanci i dëmeve nga prurjet tejet masive të lumit është minimizuar shumë ndjeshëm, ndërsa tërheqja e ujërave nga fushat ka ndodhur në kohë rekord”.

“Tani do të vijojmë punën që në përballjen e ardhshme me përkeqësimin e motit, gjërat të shkojnë edhe më mirë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “falë të gjithë investimeve dhe punëve të bëra me kanalizimit që tani është bërë sistem pune dhe mbahen pastër, falë punës fantastike që u bë sidomos në 72 orët e fundit nga të gjitha trupat e forcat, gjërat kanë kaluar më së miri po të kemi parasysh se ku ishim. Me këtë lloj prurje, shiu para disa vitesh dilte në qendrën e Fierit dhe këtu përmbyste gjithë dynjanë”.

Darëzeza, vijoi Rama, që historikisht ishte nën ujë gjithmonë edhe me më pak se kaq, sot nuk është prekur fare. “Këto janë gjëra pozitive tani duhet të marrim masa të shikojmë se çfarë duhet përmirësuar me argjinaturën dhe çfarë ndërhyrjesh të tjera duhet të vazhdohen të bëhen”, tha Rama.

Duke folur për Vjosën, Kryeministri Rama tha se, “për sa kohë Vjosa do të mbahet lum i egër dhe ne duam ta mbajmë të tillë, se e kemi thënë duke e pasur zonë të mbrojtur, duke synuar të kthejmë shtratin e tij në Park Kombëtar dhe zona të caktuara në Park Kombëtar, për sa kohë që asnjë hidrocentral apo digë nuk do lejohet, vetvetiu kjo i ka edhe ato risitë e veta”.

“Duhet bërë një projekt për të kuptuar se çfarë ndërhyrje duhet bërë, duhen adresuar edhe ato dy-tri pika që kanë rezultuar që kanë nevojë për ndërhyrje. Faleminderit të gjithë atyre që i qëndruan mbi kokë ditë e natë situatës shumë të rënduar nga moti i keq, këtu e në të gjithë Shqipërinë”, tha Rama.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi tha se “para dy vjetësh me ndihmën e forcave të ushtrisë e ngritëm nivelin dhe nga situata e reshjeve dje kuptuam se na dha goxha rezultat në një pjesë të mirë të sipërfaqes. Sot ujërat janë tërhequr, por dje në pjesë të caktuara të kësaj argjinature uji e ka kapërcyer argjinaturën dhe u fut në kanal”.

“Sasia e prurjeve të Vjosës dje ka qenë shumë e madhe, megjithatë na ka dhënë goxha rezultat, sepse sot nuk kemi probleme në fushën e Levanit dhe zero probleme në zonën e Darëzezës. Kemi disa vende ku argjinatura ka pësuar dëmtime të vogla dhe besoj nesër do fillojmë riparimin e tyre. Po ashtu do të riparojmë një pjesë të kanalit të Martinës”, tha Subashi.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se “vetëm këtë vit janë bërë 700 milionë lekë investime në hapjen e kanaleve dhe ndërtim argjinature”.