Aktualitet

A duhet të shqetësohet BE për ndihmën që i jep Shqipërisë? Erdogan: Jemi vëllezër, mos e diskutoni!

Presidenti, Recep Tayyip Erdogan, u pyet në një konferencë për shtyp në Tiranë nëse duhet të shqetësohet BE-ja për mbështetjen e madhe që Turqia po i jep Shqipërisë. Erdogan theksoi se mbështetjet vëllazërore janë të ndryshme, ndërsa theksoi se me Ramën janë ‘vëllezër’ dhe këtë të mos e vënë në diskutim.

Ndërsa kryeministri Edi Rama theksoi se i ka bërë përshtypje komenti i një qytetari që i tha shyqyr që nuk je mysliman se BE-ja do shqetësoj pasi kalon shumë kohë me Presidentin e Turqisë. Ndër të tjera Rama deklaroi i prerë se ato që fliten janë konspiracione ndërsa shtoi se marrëdhëniet janë reciproke dhe zhvillim i një tradite.

“Pyetje që më kape ngushtë, kështu quhet, por unë nuk jam kapur ngushtë me këtë pyetje dhe dua ta sqaroj. Miqësia, rregullat e vëllazërisë janë të ndryshme pasi brenda vëllazërisë ka lloj lloj mbështetjesh. Ka marrëdhënie dy palëshe. Po flasim për një situatë për rastin pas tërmetit. Prandaj ne ndërtuam këtë projekt në mënyrë të shpejtë. Ne jemi vëllezër. Asnjëherë nuk duhet ta vini në dyshim”-tha Erdogan.

Një përgjigje e pati edhe Kryeministri Rama.

Më tha se kaq shumë sa rri me Erdogan kushedi çdo të të thonin ata të BE-së. Jam katolik, gjysmën më të mirë e kam myslimane por nuk besoj se kushdoqoftë në Shqipëri apo BE duhet të shqetësohet për këtë marrëdhënie mes dy vendeve sepse kjo është një marrëdhënie tradicionale edhe në kohën kur Shqipëria ishte një vend shumë i mbyllur, marrëdhënia me Turqinë ishte aty si një vazhdimësi e një tradite. Marrëdhënia ime me Erdogan, e përsëris, nuk ka asnjë gjë për t’u shqetësuar, janë për të qeshur shumë nga ato që thuhen, jo vetëm nga konspiracionistë, por dhe njerëz seriozë në BE. E vërteta është që janë disa gjëra që nuk zhbëhen. Nuk di një qeveri tjetër përveç asaj të Erdogan asokohe kryeministër i Turqisë që të jetë mbledhur në sesion të jashtëzakonshëm për të ndjekur direkt punimet e parlamentit të Kosovës dhe për ta njohur atë në mbledhje ne qeverisë së vet si shtet i pavarur.

“Këtë e ka bërë zotëria në krahun tim ashtu sikundër përtej konspiracioneve, roli i Turqisë në rajonin tonë është i pazëvëndësueshëm. Rol konstruktiv në funksion të paqes. Hijet e hedhura mbi Turqinë apo Presidentin Erdogan rezultojnë të jenë filma, filma të imagjinatës që nuk gjejnë përputhje në realitet. Jemi takuar shpesh, është privilegj që unë, kryeministër i një vendi të vogël, të marr kohë kaq shpesh nga Presidenti i Turqisë. Kurrë, asnjëherë nuk jam ndjerë në bisedë si përballë dikujt që të jep leksione, që të jep receta të gatshme si bëhet puna, apo për më tëpër që të vë në pozitë duke këruar gjëra që ske dëshirë t’i dëgjosh. Por respekt maksimal, reciprocitet, që është diçka shumë e vyer.”-theksoi Rama.

Kryeministri Edi Rama në një konferencë me presidentin e Turqisë përmendi disa prej projekteve në vendin tonë të realizuara falë ndihmës së qeverisë turke duke e falënderuar disa herë.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se shërbimi shëndetësor shqiptar duhet të jetë në nivelin e atij turk, duke theksuar se asgjë s’është e pamundur me mbështetjen e presidentit turk.

“Ditë e rëndësishme dhe e bukur për ne. Ata tashmë kanë kushte më të mira se sa para se tërmeti t’i linte pa shtëpi. Dua ta falënderoj presidentin që u gjend pranë nesh qysh në sekondën e parë pas goditjes së tërmetit me një angazhim shumë konkret, e mbajti fjalën, por kjo nuk është lajm kur bëhet fjalë për presidentin Erdogan, sepse ai diçka kur e thonë e bën. Mbase ndokush mund të mendojë se po e teproj me falënderime, por siç thotë profeti Muhamed, ‘kush nuk i falënderon njerëzit nuk e ka falënderuar Zotin’ dhe për këtë vepër falënderimet nuk janë kurrë të mjaftueshme. Në takimin e Ankarasë unë nuk e vura bastin me presidentin për Spitalin e Fierit se do e humbja. Me sa jam në dijeni presidenti nuk vë baste, por e ndjek futbollin pa baste. Ambicia jonë është që shërbimi shëndetësor të marrë përmasa sa shërbimi shëndetësor turk. Sot askujt nuk i duket e pamundur për sa kohë në këtë përpjekje kemi mbështetjen e Erdogan dhe autoriteteve të qeverisë turke”, tha Rama.

Një nga projektet që po merr jetë me mbështetjen e qeverisë turke është parku i parë teknologjik në vendin tonë.

“Lajmi i mirë është se ashtu sikundër u diskutua është realitet futja e gjuhës shqipe si gjuhë me përzgjedhje në arsimin turk. Monitorimi i rrugëve të Shqipërisë me kamera inteligjente falë asistencës së qeverisë turke. Po merr formë projekti i parkut të parë teknologjik falë mbështetjes së presidentit. Po punojmë të rrisim kapacitete e inteligjencës në fushën e të ardhurave tatimore dhe doganore për të rritur volumin tregtar”, tha kryeministri.

Rama preku edhe sektorin e turizmit, me të cilin duhet të punohet shumë sipas liderit të qeverisë shqiptare. Ai tha se niveli i vizitorëve turq në Shqipëri nuk është në përputhje me dashurinë mes dy popujve,por ky trend do të ndryshohet.

“Nuk jemi xhelozë për fqinjët por se si na vjen që janë miliona turistë turq shkojnë në vende të tjera. Niveli i vizitorëve turq në Shqipëri nuk është në përputhje me dashurinë mes këtyre dy popujve, do të nisim ta ndryshojmë këtë trend”, tha Rama.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndodhet këtë të hënë për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e para e tij për 2022-shin. Ai mori pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së 522 banesave çelësave në Kurbin, të rindërtuara nga financimi i qeverisë turke, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që tronditi vendin.

Gjatë këtij takimi gjithashtu u nënshkruan edhe shtatë marrëveshje mes qeverisë turke dhe asaj shqiptare.