Politikë

Rama nga Berati: 7 vite më parë bujqësi mbijetese, tani në sipërmarrje!

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Berat nga ku tha se procesi i vaksinimit që tashmë ka nisur në vend, do të lehtësojë sezonin turistik. Rama gjithashtu pati një takim edhe me fermerët në Moravë të Beratit.

Teksa tregoi vizionin e Partisë Socialiste për bujqësinë theksoi se vendi jonë renditet i pari në rajon për thithjen e fondeve nga BE-ja. 7 vite më parë sipas kryeministrit kemi pasur një bujqësi mbijetese ndërsa tani ai thekson se është kthyer në një sipërmarrje falë investimeve që janë bërë në këtë fushë.

Namin e madh e ka Lushnja dhe Divjaka por Berati është kthyer në platformën shembullore të transformimit të bujqësisë duke kaluar nga bujqësia e mbijetesës te sipërmarrja. Jo vetëm që është e mundur por nëse ke vizionin e duhur, punën dhe durimin mund të dalësh dhe të ngjitesh në maja të paimagjinueshme.

Një nga vendet që ka qenë lider në Ballkan sipas Ramës ka kërkuar të vijë për të marrë eksperiencë në Shqipëri në lidhje me zhvillimin e këtij sektori. Ndërkaq kryeministri shtoi se ambicia është që Shqipëria të bëhet lider në rajon për turizëm, agroturizëm dhe eksporte bujqësore.

Gjatë fjalës së tij teksa inspektonte kantierin e ujit Orizaj, Rama theksoi se brenda vitit 2022 i gjithë Berati do të ketë ujë të pijshëm për 24 orë.