Politikë

Rama nga Praga: Vendet evropiane po bashkohen gjithnjë e më shumë, Shqipëria ka një peshë tjetër

Kryeministri Edi Rama, nga Praga, ku u mbajt takimi Komunitetit Politik Evropian, ka bërë me dije se edhe vendet e Ballkanit do të jenë pjesë e bisedimeve të Bashkimit Europian për përballimin e krizës energjetike. Rama tha se ministrat e Energjisë së Ballkanit do jenë pjesë e takimit të BE që do të mbahet sëshpejti në Pragë për krizën energjetike.

“Lajmi i mirë është që me kërkesën time drejtuar kryetares së komisionit është pranuar që të thirren edhe ministrat tanë të energjisë në takimin që do zhvillohet në Pragë për të trajtuar çështjen e energjisë si një çështje europiane dhe jo si një çështje të BE. Në tryezën e rrumbullakët ku kam qenë bashkë me kryeministrin e Holandës fokusi kryesor ka qenë kriza energjetike dhe si vendet tona, duke filluar nga vendet tona, duke nisur nga vendet që kanë hapur negociatat për anëtarësim, do duhet të ndihmohen drejtpërdrejte. Unë kam insistuar që duhet të përfshihen të 6 vendet, pavarësisht nëse i kanë hapur apo jo negociatat”, tha Rama.

Më shumë se 40 liderë nga e gjithë Evropa u pritën sot në Pragë për të marrë pjesë në takimin përurues të Komunitetit Politik Evropian.

Kryeministri Rama ka folur për mediat pas takimit.

“Në një format me më shumë se 20 vende ne jemi ndarë në tryeza ta rrumbullakëta dhe jemi fokusuar në propozimet tona. Që nga kriza energjitike tek inflacioni i Putinit dhe patjetër tek forcat e rublave në gjirin e shoqërive tona. Ky është një proces, frika ka qenë një forca shumë vendimtare në gjithë historinë e përpjekjeve për të ndërtuar një komunitet politik evropian, ashtu siç ka qenë një forcë penguese dhe për vetë BE. Në një situatë si kjo, Evropa është në një pikë ku për ta krijuar të ardhmen duhet ta parashikojë.

Komuniteti evropian është një komunitete vendesh që bashkohen për çështje që janë gjithnjë e më shumë të përbashkëta. Nuk ndahen dot në pjesë kriza e klimës, kriza energjitike, demokratike. jemi në një epokë të re rreziku, kemi dalë nga epoka e sigurt. Kjo epokë e rrezikut i ka mbledhur të gjithë dhe i ka nxitur të afrohen sa më shumë për shkak të inflacionit të luftës. Shqipëria ka një peshë tjetër dhe një zë tjetër” u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.

Në përditësim…