Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Aktualitet Politikë

Rama: “Opozita të mos e shajë Shqipërinë në anglisht!”

Në të parën intervistë televizive pasi prezantoi përbërjen e qeverisë së re ku shumë emra u rikonfirmuan e do të hyjnë në histori për pjesëmarrjen rekord të grave, kryeministri Rama tha se betimi bëhet te presidenti Meta.

Për sa kohë është në zyrë do të respektojmë Kushtetutën. Rrugët mes PS-së dhe Ilir Metës janë të pakthyeshme.

Përballë gazetarëve, mbrëmë në emisionin “Opinion”, kryeministri u shpreh se do t’i drejtohet me kundërofertë PD-së, me kushtin që opozita “të mos e shajë më Shqipërinë në anglisht”.

Sikur PD të thotë jemi gati që anglisht mos e shajmë më Shqipërinë do të më jepte motivimin që së bashku me të tjerët t’i ktheheshim me një kundërofertë të fuqishme. Sikur të na japin fjalën solemnisht që nuk do e shajmë më Shqipërinë në anglisht.

Kur u pyet nëse kjo ofertë shkon deri në qeveri të përbashkët, Rama tha:

Jam i gatshëm të pres çdo lloj projekti politik për të ardhmen e vendit. Kur kam qenë në opozitë kemi bërë disa alternativa. Jam i hapur dhe i gatshëm. Mendoj se edhe reforma territoriale, edhe pse opinionet i kemi të kundërta mund të ulemi e të diskutojmë dhe të ballafaqojmë arsyet pse i kemi mendimet e kundërta.

Shefi i qeverisë u pyet për Taulant Ballën, deputeti më i votuar në vend në zgjedhjet e 25 prillit, i cili nuk mori asnjë post ministror e nuk do të jetë më Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, por vetëm kryetar i grupit parlamentar.

Taulanti është kryetar i grupit parlamentar të PS-së. Eshtë një detyrë që ka ngarkesë të madhe e ashtu siç duhet bërë gjatë këtij mandati do të ketë ngarkesë edhe më të madhe. Na duhet një Sekretar i Përgjithshëm që të jetë non stop i angazhuar këtu.

Në skuadrën e qeverisë janë vendosur njerëzit që sipas meje janë të duhurit në këtë moment, për të bërë punën e duhur.

Rama zbuloi se mes të propozuarve për të qenë pjesë e kabinetit qeveritar ka edhe emra që i kanë thanë “Jo”.

Përjashto dy vajzat që janë ministrja e re për Rininë dhe Fëmijët dhe ministrja e re për Sipërmarrjet, me të cilat ende nuk kam pasur asnjë eksperiencë pune, të gjithë ata që shikon atje, përfshirë ministren e re Financave e atë të Bujqësisë kanë thënë edhe jo sepse ne bëjmë shumë diskutime, por ndryshe nga e kaluara nuk bëjmë telenovela, bëjmë diskutime për të marrë vendime. Diskutimet janë të mbyllura e në këto diskutime ka debat.

Ndërkaq, si dy prioritete gjatë mandatit të tretë qeverisës veçoi turizmin e energjinë.

Në Parlament do të shpaloset edhe programi i Qeverisë. Së pari, ne duam që Shqipëria e kësaj dekade të bëhet kampione në Ballkan për turizmin. Së dyti, duam që Shqipëria të bëhet në këtë dekadë eksportuese neto e energjisë.