Aktualitet

Rama për satelitët: Krijojmë bazë të dhënash në funksion të programimit për të nesërmen!

Ndërsa sot mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile e Operatorit “Satellogic USA”, u nënshkrua kontrata 6 milion dollarë e Shërbimit Satelitor në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, që konsiston në përdorimin e dy satelitëve, fillimisht për 3-vjet, kryeministri Edi Rama, tha se shumë shpejt, shteti shqiptar do të marrë dronë të armatosur, për raste ekstreme kundër terrorizmit apo një armiku potencial.

Me satelitët nuk do të ketë më mundësi të ndërtohen kate pa leje, pa u vënë re në momentin kur sapo nisin, sepse satelitët kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur mbi sipërfaqen e tokës.

Me satelitët, ne do të kemi mundësi të monitorojmë të gjitha të mbjellat e do të jetë e lehtë, shumë më e lehtë të themi, se nuk ka gjë të lehtë fare, por për Ministrinë e Bujqësisë do të jetë shumë më e lehtë që të identifikojë vërtetësinë e të gjitha vet-deklarimeve që lidhen me nevojën për të subvencionuar naftën dhe me sasinë e të mbjellave në territor.

Pra, ti nuk do të vish dot më me një titull pronësie për një tokë ku mund të mos ketë asgjë e nuk ke punuar asnjëherë dhe të thuash: unë kam atë tokën atje dhe dua naftë, se unë e punoj. Kështu, ne do të krijojmë një bazë të dhënash të rëndësishme që na japin mundësinë për të bërë shumë analiza dhe në funksion të programimit për të nesërmen, për të parë, në rastin e të mbjellave, sasitë reale. Për të parë të mbjellat e kulturave të ndryshme, zonat e kështu me radhë dhe për të bërë konkluzione më të shpejta se nga mbledhja e të dhënave me sy.

E njëjta gjë dhe për plazhet, e njëjta gjë për pyjet, e njëjta gjë për lumenjtë. Shumë shpejt do të pasohen nga dronët, që me zhvillimet e reja, ne kemi vendosur t’i kompletojmë dhe t’i marrim dronë të armatosur. Natyrisht, dronët e armatosur janë për rast ekstrem, kundër terrorizmit apo një armiku potencial.

Shërbimi satelitor mundëson monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, me teknologji të avancuar.