Aktualitet

Rama për sulmin kibernetik: I organizuar nga një shtet, jo nga hakerat. NATO po mbron sistemet tona online!

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se NATO është përfshirë në procesin e mbrojtjes ndaj sulmit kibernetik nga një vend jo mik i Shqipërisë.

“Është sulm i organizuar nga një shtet, jo çështje hakerash sado të jenë. Është një shtet mbrapa këtij sulmi. Nuk jemi ende të identifikojmë shtetin, 2 janë dyshimet, e them këtë për të thënë që sulmi është jashtëzakonisht kompleks dhe agresiv. Sistemet nuk kanë çeduar në aspektin e shkatërrimit të tyre, nuk janë zhdukur të dhënat e shtetit, aq më tepër që nuk rrinë ashtu siç e imagjinojnë njerëzit. AKSHI nuk mban të dhëna. Dokumentet janë aty.

Ka lajme të rreme pa lidhje. Është e paimagjinueshme që të shpifet pa hesap, pa përgjegjësi, pa asnjë lloj logjike duke i thënë njerëzve që është vënë gjobë 30 milionë euro ndaj qeverisë a thua se jemi përballë një bande digjitale që vënë gjoba. Nuk jemi në këto kushte por në kushtet e një sulmi kibernetik të super sofistikuar që ka përfshirë në procesin e mbrojtjes dhe të kundërsulmit NATO-n”, tha Rama.

Pas rikthimit të shumicës prej shërbimeve digjitale të platformës e-Albania është rikthyer edhe shërbimi i regjistrimit të nxënësve në klasën e parë dhe të dhjetë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka njoftuar nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale rinisjen e shërbimit, si dhe afatin e rishikuar për  regjistrimet.

“Ju njoftoj se sot kanë rifilluar regjistrimet e nxënësve në sistemin e-Albania për klasat e para dhe të dhjeta të vitit të ri shkollor 2022 – 2023. Afati i ri për këto shërbime do të jetë data 31 korrik 2022. Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin”, shkruan ministrja.