Politikë

Rama porosi kandidatëve për degët e PS-së: Merreni seriozisht procesin!

Kryeministri Edi Rama ishte pjesë e takimit për përzgjedhjen e drejtuesit të ri vendor të Partisë Socialiste në Elbasan. Ai këshilloi të gjithë kandidatët që ta marrin seriozisht këtë dhe të paraqesin platformat e tyre.

“Nuk dua të zgjatem sepse kjo është dita e të tre kandidatëve këtu për tu ballafaquar me ju dhe me Komisionin e Zgjedhjeve të reja në Partinë Socialiste. Dua vetëm të shfrytëzoj këtë rast për t’i thënë të gjithë atyre që presin në bazë të kalendarit të këtyre zgjedhjeve që të kenë prezantimet dhe ballafaqimet e tyre, që të përgatiten sa më mirë dhe sa më seriozisht sepse kjo është një garë e hapur e nga ana tjetër, të gjithë bashkësitë e Partisë Socialiste, në çdo degë të saj, të bëjnë sa më shumë propozime në mënyrë që edhe zgjedhja të jetë sa më e gjerë.

Unë jam shumë i inkurajuar nga çfarë kam mundur të shoh deri më tani por në distancë, ndërkohë që sot jam këtu për ta ndjekur nga afër këtë proces, së bashku me deputetët e Elbasanit e me të gjithë ju e më vjen shumë mirë që na jepet të gjithëve bashkë mundësia të jemi të përfshirë në një proces si ky, i cili synon ti japë një shtysë të re drejtimit të PS në gjithë territorin, i cili synon që të ripërtërijë edhe një herë siç kemi bërë dhe në të shkuarën por me një mekanizëm të ri, strukturën e Partisë Socialiste në tërësi. I cili synon ti hapë rrugë më pas procesit të përzgjedhjes së kryetarit të partisë në të gjitha njësitë bashkiake, në të njëjtën mënyrë, por edhe me ndihmën dhe me koordinimin së bashku me kryetarët e partisë që do të zgjidhen për çdo bashki.

Në mbyllje dua vetëm të bëj një plotësim pas asaj që tha Sekretari i Përgjithshëm i cili foli për kryetarin e partisë si një baba dhe kur ai foli për një baba, unë po shikoja Ermirën që është aty kandidate e mendoj që ka nevojë të sqarohet kjo sepse ne kemi në këtë proces vajza e djem, gra dhe burra e jo vetëm kaq por kemi rënë dakord në kryesinë e partisë Socialiste që kudo ku ne kemi kandidatë cilësor dhe që meritojnë mbështetje për të kontribuuar në drejtim të partisë, që janë edhe burrë, edhe grua, edhe djalë, edhe vajzë, atëherë ne do të kemi bashkë drejtim të partisë, siç kemi bërë në nivelin e organizatave e mua më vjen keq që bashkë drejtimi i partisë në nivelin e organizatave ende është i paplotësuar në një pjesë jo të vogël të organizatave, si një bashkë drejtim në barazi gjinore.

Aty ku kjo ka ndodhur, ne kemi parë që rezultatet kanë qenë domethënëse, pra Ermira nuk bëhet dot baba i partisë por patjetër që në rast se paraqitja e saj do të jetë e duhura për anëtarët e partisë e për komisionin, ajo do të jetë kryetarja e partisë. Por në rast se edhe Ermira dhe njëri nga dy shokët që janë aty do të performojnë në mënyrë bindëse, atëherë edhe në Elbasan, në bazë të propozimit natyrisht të Komisionit, po të jetë ky rasti, ne do të kemi bashkë drejtim të Partisë Socialiste. Kjo për një sqarim, sepse ne promovojmë në të gjitha nivelet barazinë gjinore, ia kemi parë hairin sepse sa më shumë gra dhe vajza janë përfshirë, ,aq më mirë kanë shkuar punët e partisë dhe për këtë arsye është e rëndësishme që të mos e harrojmë asnjëherë e të mos e quajmë kryetarin e partisë gjithmonë një figurë detyrimisht babe.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe ju uroj suksese të tre kandidatëve këtu e më vjen shumë mirë që t’ia lë tani këtë foltore Blendit, i cili drejton Komisionin e Posaçëm të përbërë nga sekretarët e partisë për të thënë ai pak fjalë për procesin e pastaj sëbashku të ndjekim të tre kandidatët. Shumë faleminderit!”, tha Rama.

Tre kandidatët e përzgjedhur për fazën finale për të marrë drejtimin e PS-së në Elbasan, janë Ardit Demiri, Ermira Urupi dhe Agron Lulaj.