Aktualitet

Rama: Qeveria synon 1 miliard dollarë eksporte në bujqësi e peshkim!

Objektivi i qeverisë është që të arrihet në një miliard dollarë eksporte të kombinuara, bujqësi dhe peshkim në këtë dekadë. Këtë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, sot në konferencën mbi “Teknologjinë dhe inovacionin në bujqësi dhe blegtori”.

Peshkimi sot është industri. Ishte një sektor mjerimi dhe mbijetese me 20-22 milion dollarë eksporte. Sot, bazuar në shifrat e vitit të kaluar, jemi në 125 milion dollarë dhe ambicia jonë e mundësitë janë që peshkimi të shkojë në 300 milion dollarë. Dhe dihet botërisht që objektivi ynë është që të shkojmë në një miliard dollarë eksporte të kombinuara bujqësi, peshkim në këtë dekadë.

Sipas shefit të qeverisë, “me një miliard eksporte jemi një vend tjetër dhe hyjmë përfundimisht në bujqësinë sipërmarrëse në shkallë të gjerë”.

Por, na duhet të shtyjmë më shumë pikërisht aty ku adreson edhe titulli i këtij takimi, tek teknologjia, inovacioni. Këta njerëz që folën, të tjerë që janë këtu dhe nuk iu dha fjala se s’është e mundur apo të tjerë akoma që s’janë këtu fare, janë kampionë të një bujqësie që po ndryshon pikërisht se besojnë tek inovacioni dhe besojnë tek teknologjia.

Besojnë tek inovacioni që do të thotë jetojnë në mënyrë të përditshme me informacion. Po të shkosh të Josifi se po flas për Josifin mbase shumë gjatë dhe po i hap probleme, por po të shkosh atje, kam shkuar disa herë dhe tregimi fillon me çfarë po bëhet dhe vazhdon me çfarë do të prishet aty dhe do të ribëhet, pse? Sepse teknologjia ndryshon! A nuk është kështu? Kam qenë prezent në një serrë që po ta shikoje, ajo ishte super, e gjitha do të çmontohet dhe do të ribëhet sepse do të futet një teknologji tjetër e do të rritet prodhimi. Sigurisht që do të kthehet dhe investimi.

Kryeministri iu sugjeroi fermerëve të mësojnë nga strategjitë e njëri-tjetrit, ndërsa premtoi se dronët dhe satelitët do të vijnë brenda vitit.