Aktualitet

Rama shpall përbërjen e Ekzekutivit nën qeverisjen e grave!

Pritjes i erdhi fundi, sot në ditën e dytë të shtatorit, kryeministri Rama zyrtarizoi emrat e kandidatëve për ministra të atij që njihet si kabineti “Rama 3”.

Emra që rikonfirmohen, të tjerë të rinj e gjithashtu të larguar, për t’iu përkushtuar punëve në Partinë Socialiste ndërsa ky kabinet do të mbahet mend për praninë e shtuar të grave në poste ministrore e jo vetëm.

Pas Jozefina Topallit kur në kohën e qeverisjes së demokratëve në vitet 2005-2013 hyri në historinë e parlamentarizmit shqiptar si e para grua kryeparlamentare, edhe në këtë 4-vjeçar duket do të kemi një tjetër grua, ajo është Lindita Nikolla, e propozuar nga kryeministri Rama për të marrë stafetën nga Gramoz Ruçi.

Duke folur për mediat, Nikolla deklaroi:

Do të punoj me përkushtim për respektimin e rregullores, për krijimin e një klime pozitive në Parlament, për krijimin e hapësirave për opozitën. E mbushur me përgjegjshmëri për të përmbushur pritshmëritë e kryetarit të PS për zgjedhjen time!

Shifrat flasin vetë, me 12 gra e 5 burra, “Rama 3” vjen nën qeverisjen e grave.

Kryeministër Edi Rama
Zv.kryeministër Arben Ahmetaj
Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka
Ministër i Mbrojtjes Niko Peleshi
Ministër i Drejtësisë Ulsi Manja
Ministër i Brendshëm Bledi Çuçi
Ministre e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimi
Ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku
Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Ogerta Manastirliu
Ministre e Arsimit dhe Sportit – Evis Kushi
Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca
Ministre e Kulturës  Elva Margariti
Ministre e Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro

Janë gjithashtu katër ministre shteti:

Elisa Spiropali për Marrëdhëniet me Parlamentin
Edona Bilali për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
Bora Muzhaqi për Rininë dhe Fëmijët
Milva Ekonomi, për Standardet e Shërbimeve

Dy janë ministret e larguara: Etilda Gjonaj zëvendësohet nga Ulsi Manja në krye të dikasterit të Drejtësisë dhe u propozua Sekretare për Gruan në PS ndërsa Anila Denaj nga ministre e Financave pritet të drejtojë Burimet Njerëzore në selinë rozë.

Ndërkohë, Frida Krifca, Delina Ibrahimi, Edona Bilali e Bora Muzhaqi bëhen për të parën herë pjesë e qeverisë shqiptare por nuk janë emra të panjohur për publikun.

Ministrja e re e Bujqësisë, Krifca ka drejtuar Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

Delina Ibrahimi e propozuar si Ministre e Financave dhe Ekonomisë është eksperte e fushës dhe në vitin 2019 ka mbajtur detyrën e drejtoreshës së Tatimeve e më herët të INSTAT-it.

Në zgjedhjet e 25 qershorit, Edona Bilali ishte numri një i kandidatëve socialistë në qarkun Shkodër e tashmë u propozua si Ministre Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Vajzën e re Bora Muzhaqi, e cila ka studiuar dhe punuar në Angli, Rama e përzgjodhi për detyrën e Ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.