Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Paketa e Maleve” është një program komplet i ri për të mbështetur të gjithë ata që janë jashtë dhe që duan ndihmë për të investuar në shtëpitë e tyre, për t’i kthyer në sipërmarrje biznesi turistik. Në një takim me kryebashkiakët në Kryeministri për bashkëpunimet në interes të komunitetit e për të diskutuar për platformat e dialogut, emergjencat civile dhe ndihmat sociale, Rama u ndal te lejet për ndërtim si nevoja imediate të qytetarëve sidomos në zonat rurale dhe që duan të shtojnë një dhomë, të rregullojnë çatinë, etj, proces që e cilësoi pozitiv.
Ndihma juaj për të identifikuar dhe për neutralizuar çdo lloj punonjësi policie që iu shfaqet nëpër avlli qytetarëve, familjeve që jetojnë në fshat është shumë e çmuar. Ky fenomen ka ardhur duke u zvogëluar, por është problem, akoma është problem, që iu shkojnë për një avlli dhe iu rrinë tek koka e kuptohet pse. Jo e ke lejen, jo s’e ke lejen.
Shefi i qeverisë Rama theksoi edhe se ky fenomen duhet që të ndalohet totalisht.
Besoj që shumë shpejt gjatë këtij muaji, ne do të prezantojmë atë që e kemi quajtur “Paketa e Maleve”. Eshtë fjala për një program komplet i ri për të mbështetur të gjithë ata që janë jashtë dhe që duan ndihmë për të investuar në shtëpitë e tyre për t’i kthyer në sipërmarrje biznesi turistik.
Kur them jashtë, ata që janë në emigracion apo ata që janë në Tiranë dhe kanë një pasuri atje. Eshtë një paketë besoj pozitive sepse kemi punuar që të mos jetë një gjë pak, por është goxha domethënëse dhe patjetër që është një paketë që duhet ta përdorni ju në kuptimin që duhet ta shfrytëzoni për të inkurajuar më shumë dhe për t’i dhënë më shumë shtysë atyre që e kanë me dy mendje, u shpreh Rama.
Në takimin me kryebashkiakët, Rama foli edhe për rritjen e pagave të punonjësve të pushtetit vendor, që e cilësoi edhe meritë të tyre, po ashtu përmendi përmbytjet masive në Vlorë nga shirat e dendur të 4 tetorit e që çuan në dëme të konsiderueshme. Ndërkaq, i mblodhi edhe për legalizimet.