Politikë Sociale

Rama takim me bizneset: Koha e shfrytëzimit të punonjësve duhet të marrë fund, po ikin burimet njerëzore

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me sipërmarrësit privatë ku po diskutohet për rritjen e mëtejshme të pagave. Rama tha se duhet të marrë fund koha kur sipërmarrjet private shfrytëzojnë punonjësit. Sipas Ramës, duhet mbyllur faza e shfyrtëzimit të punonjësve dhe sipërmarrja ka dy zgjidhje, ose duke mbetur pa punonjëse dhe të reflektojë, ose të bëhet e vetëdijshme dhe të krijojnë një marrëdhënie te re me punonjësit.

“Të rrojë duke mbështetur punonjësit që edhe atë të rrojnë, epoka e shfrytëzimit të punës, të burimeve që punojnë, prodhojnë punë, që japin punë duhet të mbyllet. Ne do të zhvillojmë këtë dialog si një proces kundër shfrytëzimit të forcave të punës, marrëdhëniet kapitaliste në Shqipëri për shumë vite kanë qenë të bazuara të shfrytëzimi, si edhe tek fitime të padeklaruara. Kjo fazë është duke u mbyllur dhe çështja është si do të mbyllet. Zgjedhja që duhet të bëjë sipërmarrja në Shqipëri, është si do mbyllet duke e përplasur sipërmarrja në tokë dhe duke e lënë pa burime njerëzore, apo do mbyllet duke u bërë sipërmarrja e vetëdijshëm se duhet të krijojë një marrëdhënie të re me forcat punëtore”, tha Rama.

Rama theksoi se po luftojnë për të ruajtur burimet njerëzore. Teksa përmend shprehjen “sapo e mësova gomarin pa ngrënë më ngordhi”, kërkon të tregojë se si po largohen forcat punëtore për shkak të mungesës së motivimit dhe mosrritjes së pagave.

“Vendosëm të bëjmë këtë takim për një proces që dëshirojmë ta kthejmë në një dialog kombëtar me sipërmarrjen por edhe aktorët e tjerë dhe të gjithë shoqërinë sepse jemi në një udhëkryq shumë delikat dhe më në fund vetë sipërmarrja po e shikon gropën që i ka hapur vetes vit pas viti duke bërë atë që bëri ai që tha në fund, sapo e mësova gomarin pa ngrënë më ngordhi. Tani sipërmarrja po shikon që lufta për ruajtjen e burimeve njerëzore i ka hyrë brenda në territorin e vet.

Tani po shikon se si po i ikin nga duart pikërisht ato forca pa të cilat sipërmarrja vdes, njerëzit. Tani të gjithë po e shohin se si shtetet më të zhvilluara janë futur me kokë për të zhvatur nga të munden burimet njerëzore të kujt munden. Nëse një punonjës apo një i ri ka mundësinë dhe perspektivën të paktën teorike që duke u larguar ta gjejë punën diku tjetër, sipërmarrja nuk ka ku shkon. Tani dilema e sipërmarrjes është të rrojë apo të vdesin”, tha Rama.