Aktualitet

Rama: Të nisë sot operacioni nga Velipoja deri në Ksamil për paligjshmërinë!

Në një aktivitet të posaçëm qeveria shqiptare shpalosi mesazhin për një angazhim madhor të Qeverisë shqiptare

Mbrojtja e Territorit dhe zbatimi rigoroz i Kodit Penal për aktivitetet e paligjshme, nga ndërtimet pa leje tek prekja e pyjeve, lumenjve, liqeneve dhe zonat e mbrojtura natyrore e kulturore, duhet të bëhen urgjentisht prioritet i njëjtë me luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit për Policinë e Shtetit

Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama ka dhënë urdhër të prerë që të nisë sot operacioni nga Velipoja deri në Ksamil për paligjshmërinë, përfshirë dhe ndërtimet pa leje.

Teksa garantoi se do të vendoset kontroll absolut në të gjithë territorin Rama ceku edhe çështjen e menaxhimit të resurseve pasi sipas tij nuk ka asnjë logjikë të shkohet në majë të malit për një avlli kur në rërën e detit dikush bën namin.

Duke e vënë theksin se ndërtimet pa leje rrisin koston e përbashkët, Rama paralajmëroi të gjithë ata që kanë ndërtuar pa leje se pasi t’i prishet ndërtimi do të paguajnë edhe kostot e pastrimit.

Në aktivitetin e zhvilluar në Ministrinë e Brendshme mbajtën fjalën e tyre edhe 3 ministra të linjës, Bledi Çuçi, Etilda Gjonaj dhe Blendi Klosi.

Ndërkohë që sot gjatë aktivitet në Ministrinë e Brendshme u prezantua edhe kreu i ri i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Vendin e Dallëndyshe Bicit, ish-drejtoreshës së institucionit shtetëror, e ka marrë Ajet Zyberi.

Zyberi ka shërbyer më parë në Policinë e Shtetit, ku ka pasur edhe rolin e drejtorit të policisë në Korçë. Ish-drejtuesja e IKMT-së, Dallëndyshe Bici, e cila kandidoi edhe në zgjedhjet e 25 prillit, u emërua së fundmi në rolin e zëvendësministres së Mbrojtjes.