Aktualitet

Rama: “Teatri do të bëhet siç u bë stadiumi i finales së sotme europiane!”

Kryeministri Edi Rama e nisi ditën me postimin e pamjeve nga “Air Albania” ku sonte luhet Roma-Feyenoord. Rama tregon se e mbajti premtimin duke bërë një nga stadiumet më të bukur të Europës ndërsa shprehet se më parë ishte thjesht “kalbësirë urbane” në zemër të kryeqytetit. Shefi i qeverisë thekson se “njësoj si stadiumi i finales së sotme, që do të jetë një moment historik për historinë e futbollit shqiptar, do të bëhet edhe Teatri i Ri Kombëtar”.

MIRËMËNGJES, dhe me shpresën se ka akoma nga ju që e kujtojnë kur ju thosha se do të bëjmë një nga stadiumet më të bukur të Europës, aty ku deri para pak vitesh kishte mbetur një kalbësirë urbane në zemër të kryeqytetit, duke ju siguruar se siç u bë stadiumi i finales së sotme europiane një krenari kombëtare në Europë, do të bëhet së shpejti edhe Teatri i Ri Kombëtar, ju uroj të gjithëve ta kaloni bukur këtë ditë të shënuar sportive për të tërë Europën këtu në Tiranë.

Edhe mbi 70 mijë tifozë priten në vendin tonë, me rastin e finales së madhe të Conference Leagues: Roma-Feyenoord, që luhet sonte në orën 21:00 në “Air Albania”. Një natë më parë pati incidente në Tiranë, të cilave këtë mëngjes u kanë bërë jehonë edhe mediat italiane.

Shërbimet e Policisë kanë tentuar t’i ndalojnë në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku tifozët e skuadrës Feyenoord, në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë me shishe qelqi, shkopinj, gurë e sende të tjera të forta”.

Më pas, një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, kanë lëvizur në drejtim të urës së DVP Tiranë ku dhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.  Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, janë plagosur 10 punonjës Policie e është dëmtuar një automjet policie.

Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur shpërndarjen e tyre si dhe kanë shoqëruar në ambientet e Policisë 60 shtetas nga grupet e tifozëve të dyja skuadrave, 48 shtetas italian dhe 12 shtetas holandez e vijon shoqërimi i personave të tjerë, të përfshirë në akte të dhunshme.