Aktualitet

Raport-progreset e KE-së për Ballkanin Perëndimor: “Shqipëria i ka përmbushur kushtet!”

Komisioni Europian prezanton sot Raportet e Progresit për vendet e zgjerimit. Për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut do të përsëritet qëndrimi i shprehur edhe më herët se i kanë përmbushur të gjitha kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit. Paketa e Zgjerimit që përfshin edhe raportet vjetore të progresit për vendet në këtë proces, pritet të konstatojë vetëm një përparim të kufizuar të tyre drejt përmbushjes së kritereve për integrimin në Bashkimin Europian.

Raportet pritet të miratohen sot nga Kolegji i Komisionerëve dhe të prezantohen para eurodeputetëve nga Oliver Varhelyi, eurokomisioner për Zgjerimin. Për Kosovën do të konstatohet se pas një periudhe të mungesës së stabilitetit politik, me mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme është formuar qeveria me një shumicë të paprecedentë. Por, rrethanat e krijuara nga mungesa e stabilitetit politik dhe pasojat e pandemisë koronavirus, ndikuan që progresi në zbatimin e axhendës së reformave europiane të Kosovës, të jetë i kufizuar. Përmes Progres Raportit, Brukseli zyrtar i bën thirrje institucioneve të Kosovës, t’i japin përparësi zbatimit të axhendës europiane. Dokumenti përfshin 2020-ën dhe 8 muajt e parë të këtij viti.

Kësaj here, për të gjitha shtetet, raporti përmend përballjen me pandeminë dhe me pasojat ekonomike që shkaktoi. Po ashtu veçon ndihmën e dhënë në këtë drejtim nga Unioni, për secilin vend. Nga të gjitha shtetet e rajonit, Komisioni Europian do të kërkojë të bëhen më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, me fokus sundimin e ligjit.

Raportet e Progresit i bëjnë jehonë edhe dialogut Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Nga Prishtina e Beogradi kërkohet të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri tani nga bisedimet, si dhe të kontribuojnë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese për normalizimin e raporteve.

Një marrëveshje e tillë është nevojë urgjente dhe kyçe, që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugëtimin europian.

Për Kosovën, Brukseli zyrtar i mbetet rekomandimit që t’i liberalizohen vizat. Për Serbinë, gjithashtu theksohet se ndonëse ka rritur në mënyrë simbolike përshtatjen e qëndrimeve me BE-në në çështjet e politikës së jashtme, në shumë pika, nuk e ka mbështetur Unionin.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Europian kërkon të mbështesin qëndrimet europiane në politikën e jashtme. Mjaft kritik pritet të jetë edhe raporti për Bosnje e Hercegovinën, ku vazhdon kriza politike. Po ashtu do të përmendet kriza në Malin e Zi, si dhe tensionimi i raporteve të Podgoricës me Beogradin.

Po ashtu, kësaj radhe, Komisioni Europian flet për avancimin e vendeve të rajonit drejt politikave të BE-së, në fushat e ruajtjes së mjedisit, energjisë dhe disa të tjera.