Bota

Raporti: Demokracia e BE-së nën sulmin e programeve të spiunazhit

Demokracia e BE-së është nën sulm nga metodat  në rritje të programeve të spiunazhit që shkelin të drejtat e privatësisë, sulmojnë shtypin e lirë dhe mbrojnë qeveritë nga hetimet, thuhet në një raport të ri nga një komitet i Parlamentit Evropian.

Pasi një program i tillë të instalohet në një pajisje, i lejon palët e treta të kryejnë mbikëqyrje në kohë reale, të gjejë fjalëkalime dhe dosje sensitive, të gjurmojë vendndodhjet dhe të vendosin edhe informacione dashakeqëse.

Zakonisht një program i tillë instalohet përmes një aplikacioni ose websajti  dhe lë shumë pak gjurmë për zbulimin e tij.

Si Pegasus, i zhvilluar nga kompania me bazë në Izrael NSO Group, edhe Predator, një version më pak i sofistikuar, është ndër më të njohurit në të gjithë Evropën.

Raporti, i paraqitur si një draft version të martën, akuzon vendet e BE-së për praktikimin e “omerta”, kodi i heshtjes, i lidhur fillimisht me mafien italiane, dhe mbulimin e njëri-tjetrit për të penguar hetimin.

“Skandali i atyre që njihen si spyware, nuk është një seri rastesh të izoluara abuzimi, por një çështje më e përhapur se kaq” , thotë raporti.

Raporti përshkruan një pamje të zymtë të një kontinenti që është bërë një “vend tërheqës” për ata që kanë qëllime dashakeqëse, dhe mbetet “i pa pajisur” me mjete për të mbrojtur institucionet e tij demokratike nga kërcënimet e brendshme.

Dokumenti emërton katër vende të BE-së në të cilat spyware janë përdorur në mënyrë të paligjshme kundër qytetarëve – Polonia, Hungaria, Greqia dhe Spanja – dhe një i pestë nën dyshim – Qipro.