Aktualitet

Raporti i DASH-it, ambasada amerikane mbështetje Reformës në Drejtësi, fund pandëshkueshmërisë!

Në një reagim mbi raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit edhe për Shqipërinë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë thekson mbështetjen për Reformën në Drejtësi, me fokus dhënien fund të pandëshkueshmërisë.

SHBA janë të përkushtuara për të vënë demokracinë dhe të drejtat e njeriut në qendër të politikës sonë të jashtme. Lexoni raportin e Departamentit të Shtetit mbi Të Drejtat e Njeriu. Siç vërehet në raportin mbi Shqipërinë, të drejtat e njeriut duhet të përfshijnë një gjyqësor të pavarur, të lirë nga presioni politik, frikësimi apo korrupsioni. SHBA mbështet me forcë reformën në drejtësi për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, për llogaridhënie të zyrtarëve të korruptuar dhe krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri.

Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se “çështjet kryesore lidhur me të drejtat e njeriut në Shqipëri gjatë vitit 2021 ishin “problemet me pavarësinë e gjyqësorit ndërsa vazhdonte procesi i vetingut; kufizimet e lirisë së shprehjes dhe shtypit; dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet lokale”. Këto përfundime përfshihen në raportin e përvitshëm të Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë.

Mosndëshkimi mbeti një problem, megjithëse Organi i Specializuar për Antikorrupsionin dhe gjykatat antikorrupsion bënë përparim të rëndësishëm gjatë vitit në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë arriti në përfundimin se zgjedhjet e 25 prillit ishin të organizuara mirë, votuesit kishin alternativa mes kandidatëve që ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i menaxhoi në mënyrë adekuate detyrimet e tij.

Qeveria nuk e zbatoi në mënyrë efektive legjislacionin që parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë dhe ndalon individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, deputetë ose në poste qeveritare ose shtetërore.

Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe zyrtarët shpesh u përfshinë në praktika korruptive pa u ndëshkuar.

Raporti përmend se deri në shtator u hapën hetime dhe u ngritën akuza nga SPAK-u ndaj disa zyrtarëve publikë, përfshirë ish-ministra, kryetarë bashkie, gjyqtarë dhe prokurorë në detyrë, ish-gjyqtarë dhe gjyqtarë të Dhomës së Apelit të Vettingut të Gjykatës Kushtetuese, ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe zyrtarë të pushtetit ekzekutiv.