Aktualitet

Raporti i Freedom House, Shqipëria mbetet mes regjimeve hibride!

Në raportin më të fundit të organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, Shqipëria nuk ka pësuar ndryshim në pikë, krahasuar me një vit më parë. Kjo vlen për të 7 kriteret ku e bazon vlerësimin organizata. Shqipëria vazhdon të përcaktohet në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, ku futen vendet me institucione demokratike të brishta e me sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile.

Sipas “FH”, “në Shqipëri, qeverisja në nivel kombëtar është demokratike, por e dominuar nga politika partiake klienteliste”.

Zgjedhjet janë përgjithësisht konkurruese, por ato shpesh dëmtohen nga blerja e votave, manipulimi me to dhe mangësi të tjera. Shoqëria civile luan një rol disi aktiv në raport me debatin dhe interesat publike, por ajo vuan nga financimi i pamjaftueshëm dhe mospërfshirja e duhur në konsultimin e politikave, siç kërkohet me ligj.

Media është pjesërisht e pavarur. Në raport, pavarësia e shtypit vlerësohet me 3.5 pikë njësoj si në vitin 2021, një rënie krahasuar me të paktën dy vite pararendëse kur ky tregues vlerësohej me 3.75 pikë.

Viti 2021 ishte sfidues për gazetarët për shkak të kërcënimeve, ngacmimeve dhe kushteve të tmerrshme të punës.

Ndërkohë, qeverisja lokale shihet si demokratike, por “seriozisht e pafinancuar dhe e pakualifikuar për të ofruar shërbimet e përshtatshme për qytetarët”.

Ndër të tjera, thuhet se prej fillimit të vetting-ut, janë rritur pritshmëritë mbi  efektivitetin e pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Gjyqësori vijon të jetë nën një proces të vazhdueshëm verifikimi të pastërtisë së figurës së anëtarëve të tij deri në fund të vitit 2024 e për rrjedhojë funksionon vetëm pjesërisht. Prej fillimit të procesit të vetting-ut, janë rritur pritshmëritë se sistemi i drejtësisë do të jetë më efektiv dhe më i pavarur, por ai ende nuk ka dhënë prova konkrete se po vepron lirisht.

Sa i takon korrupsionit, në raportin e “FH” theksohet se “vazhdon të jetë i përhapur, duke shkaktuar mosfunksionim në degë të ndryshme të qeverisë”. Por vlerëson se agjencitë e reja të zbatimit të ligjit, të krijuara, që nga viti 2019 po tregojnë rezultate inkurajuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nga viti 1995, raporti i “Freedom House” për Vendet në Tranzicion vlerëson gjendjen e demokracisë në 29 vende, nga Europa Qendrore në Azinë Qendrore.

Procesi zgjedhor, shoqëria civile, pavarësia e medias, qeverisja demokratike në nivel kombëtar, qeverisja lokale, sistemi gjyqësor e pavarësia e tij, si dhe korrupsioni janë 7 kategoritë ku organizata e bazon vlerësimin. Ky i fundit bëhet nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 shënon nivelin më të ulët të demokracisë dhe 7 -ta, më të lartin.