Bota

Raporti i ‘Transparency International’: Ja vendet me të korruptuara në botë!

Europës Lindore mund t’i ketë dalë nami por një gjë është e sigurtë, korrupsioni nuk është ekskluzivitet i vendeve të varfra dhe gjendet praktikisht kudo në botë.

Ama, sa më i pasur shteti, aq më i rafinuar dhe i fshehur korrupsioni.

Në një kohë kur vende si Shqipëria lakohen si problematike për sa i përket praktikave të ryshfetit, abuzimeve me fondet dhe paratë publike, korrupsioni në shtetet e pasura vjen në forma paksa më të ndërlikuara të cilave u është dashur kohë të formohen dhe centralizohen në sistemet e qeverisjes.

Në ekonomitë e zhvilluara ai mund të shfaqet në trajtat e parajsave fiskale, ushtrimit të influencës në këmbim të favoreve, apo një doze fare të vogël lobimi të dyshimtë i cili nuk ka vrarë askënd apo jo?

Një shikim i thelluar në raportin e përvitshëm të Transparency International – që nxori Shqipërinë në vend të 110 nga 180 shtete në rang global – do të na ndihmojë të kuptojmë më tepër rreth gjendjes aktuale të shteteve më të zhvilluara në botë për sa i përket korrupsionit.

Asnjë shtet nuk mori dot notat maksimale vitin e shkuar dhe sipas raportit, sidomos në vendet perëndimore, ku llojet e korrupsionit janë më të nëndheshme, “vija që ndanë politikën nga bota e biznesit vazhdon të jetë e turbullt”.

Më poshtë, do të gjeni një përmbledhje të rasteve kryesore të korrupsionit në disa nga shtetet më të zhvilluara në botë.

Rezultatet e raportit të Transparency për vitin 2021, treguan edhe një herë se shumë nga vendet me performancën më të lartë, kanë bërë shumë pak “për të ruajtur integritetin e sektorit publik”.

Disa prej tyre, kanë bërë hapa të shumta prapa gjatë dekadës së fundit, si Australia (e renditur 13/180) dhe Kanadaja (18) të cilat humbën respektivisht nga 12 dhe 10 pikë që nga viti 2012.

SHBA – e 27-ta në listë – humbi gjithashtu 9 pikë që prej vitit 2015. Për herë të parë në 10 vite, Shtetet e Bashkuara nuk janë më pjesë e 25-es më të mirë.

Në Austri, raporti tregon për rastin e ish-kancelarit Sebastian Kurz i cili u përfshi në dy çështje – një në maj, kur ai u akuzua për dëshmi të rreme gjatë një çështjeje korrupsioni në Ibiza në vitin 2019, dhe një tjetër rast në tetor, kur një hetim tjetër e akuzoi atë për abuzime me fondet publike gjatë kohës kur ishte ministër i jashtëm në vitin 2016.

Në Kanada, kryeministri Justin Trudo dhe ministri i financës Bill Monro, u përballën me kritika gjatë vitit 2020, lidhur me disa prokurime publike të dhëna për fondacione bamirësie të cilat drejtoheshin nga familjarë të tyre.

Në Gjermani, deputetë të shumtë nga partia e ish- kancelares Angela Merkel u akuzuan se ishin pasuruar me anë të prokurimeve publike që presupozohej të përdoreshin për të blerë maska anti-COVID si dhe për të bërë lobim gjatë pandemisë.

Për ta mbështetur edhe më tej këtë realitet, një sondazh nga Transparency International, tregoi se 50% e gjermanëve mendonin se kompanitë vendase mbështeteshin tek paratë dhe lidhjet e tyre në qeveri për të fituar tendera dhe prokurime publike.

Diçka që vihet re nga raporti i Transparency është shqetësimi i vazhdueshëm se vendet e zhvilluara po tregohen gjithnjë e më të dobëta përball shtimit të ‘rrjeteve të organizuara të korrupsionit të globalizuar’.

Si pasojë, këto shtete ‘të pastra’, sipas Transparency, mund të jenë vetë katalizatorët dhe iniciatorët e shumë rasteve të korrupsionit që mund ta kenë origjinën në vendet që renditen më poshtë në listë.