Bota

Raporti paraprak: Rrëzimi i helikopterit të presidentit iranian, jo i qëllimtë!

Në një raport paraprak të ushtrisë iraniane thuhet se deri tani nuk është gjetur asnjë provë që të tregojë se rrëzimi i helikopterit me të cilin udhëtonte presidenti Ebrahim Raisi ishte vepër e një akti të qëllimtë apo sulmi. Lajmi u njoftua nga mediat shtetërore.

Ebrahim Raisi, një udhëheqës i linjës së ashpër, i cili shihej si pasardhës i mundshëm i Liderit Suprem Ayatollah Ali Khamenei, gjeti vdekjen kur helikopteri me të cilin udhëtonte u rrëzua të dielën e kaluar në malet pranë kufirit me Azerbajxhanin ndërsa moti ishte i keq. Në raportin e lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës Islamike, thuhet:

Nuk janë vënë re shenja plumbash apo diçka e ngjashme te mbetjet e helikopterit, që u rrëzua në një zonë në lartësi të madhe dhe shpërtheu në flakë. Asgjë e dyshimtë nuk është vërejtur në bisedat e kullës së kontrollit me ekuipazhin e fluturimit, shtohej me tej në raport, ku njoftohej se më shumë detaje do të publikohen ndërsa hetimi vijon.

Ebrahim Raisi u varros të enjten e kaluar në qytetin e shenjtë mysliman shiit të Mashhadit, katër ditë pas aksidentit ajror gjatë të cilit gjeti vdekjen edhe ministri i Jashtëm, Hossein Amirabdollahian, si dhe gjashtë persona të tjerë.

Ekspertët thonë se Irani njihet për sigurinë e dobët ajrore e të dhënat tregojnë për përplasje të përsëritura, shumë prej të cilave përfshijnë avionë të prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të blerë para kohës së Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Teherani thotë se sanksionet amerikane, prej kohësh e kanë penguar atë që të blejë avionë të rinj ose pjesë këmbimi nga Perëndimi, për të përditësuar flotën e dobët.

Irani shpalli pesë ditë zie për nder të Ebrahim Raisit. I zgjedhur në votime me pjesëmarrje tepër të ulët, kreu i shtetit iranian njihej si një zbatues i politikave të Ali Khameneit, për qëndrimin e ashpër ndaj mosmarrëveshjeve publike, si dhe mbështeste një linjë gjithashtu të ashpër mbi çështjet e politikës së jashtme, përfshirë bisedimet me Uashingtonin në lidhje me ringjalljen e paktit bërthamor të Iranit, të vitit 2015.

Zgjedhjet e reja presidenciale janë caktuar të mbahen më 28 qershor.