Aktualitet Politikë

Raporti përfundimtar i ODIHR-it për 25 prillin, dy lexime nga opozita e maxhoranca!

Lulzim Basha foli për raportin përfundimtar të ODIHR-it për zgjedhjet e 25 prillit që u publikua dje dhe ku ndërsa vlerësohej procesi zgjedhor përmendeshin shqetësimet për shit-blerje të votave. Për kreun demokrat, dokumenti konfirmoi akuzat e opozitës se “25 prilli ishte masakër zgjedhore”.

Raporti konfirmoi që 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe zgjedhjet e lira e të ndershme. Konfirmon se 25 prilli ishte masakër zgjedhore. Këtë e kemi thënë që prej ditës së parë dhe e kanë parë me sytë e tyre shqiptarët që kërkonin ndryshimin. Këtë e di e gjithë bota demokratike sepse ky raport, për fat të keq, është vula e turpit mbi vjedhjen më të madhe të kryer në historinë e pluralizmit.

Blerjen e votave, e kemi thënë ne e thotë dhe raporti, shkrirja në një e qeverisë dhe partisë, abuzimi me pushtetin dhe funksionet publike, rritja fiktive e punësimit në administratë për qëllime elektorale, presioni ndaj administratës për të votuar partinë në pushtet, përdorimi i fondeve të rindërtimit për të përfituar, i kemi thënë ne, i konstatoi edhe raporti. Vjedhja e të dhënave, ngritja e patronazhistëve duke ushtruar shantazhe ndaj qytetarëve, e kemi thënë ne, e konstaton edhe raporti e vijon të thellohet kjo dramë!

Basha ritheksoi qëndrimin se nuk njohin rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit duke shtuar se PD-ja do të vijojë betejën si jashtë edhe brenda Parlamentit.

I pyetur për dorëheqjet në degën e PD-së Korçë ku u larguan Kryetari Andrea Mano; Sekretari i Përgjithshëm, Devis Osmani e 13 anëtarë të Kryesisë, Basha nuk komentoi. Komentet i shmangu edhe kur u pyet nëse Berisha do të jetë apo jo pjesë e grupit kuvendor demokrat pasi u shpall “non grata” nga Amerika.

Ndërkaq, për maxhorancën, “raporti përfundimtar i ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit është i qartë dhe pa asnjë ekuivok, vlerësimi më pozitiv i dhënë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri nga ODIHR”.

Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi deklaroi:

Në raportin përfundimtar të publikuar dje nga institucioni i gjithëpranuar ndërkombëtar për certifikimin e standardeve të zgjedhjeve, ODIHR duke rikonfirmuar gjetjet e raportit paraprak, vlerëson se: “Në zgjedhjet e 25 prillit, zgjedhësit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve, të cilët mundën të bënin fushatë në mënyrë të lirë dhe në kushtet e një kuadri ligjor që respekton liritë themelore. Pas një marrëveshjeje të re që i dha fund një ngërçi politik, aktorët kryesorë patën besim të mjaftueshëm për të marrë pjesë në zgjedhje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), tashmë i reformuar, iu përkushtua mbikëqyrjes së procesit zgjedhor në mënyrë të organizuar dhe transparente, pavarësisht detyrimeve të reja të konsiderueshme, duke përfshirë edhe zbatimin e teknologjive të reja”.

Eshtë i qartë dhe pa asnjë ekuivok vlerësimi më pozitiv i dhënë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri nga ODIHR. Merita e padiskutueshme u takon qytetarëve shqiptarë që shprehën vendosmërinë e tyre për të ushtruar të drejtën e votës në përputhje me rregullat dhe standardet në fushën e zgjedhjeve!