Bota

Raporti/ Ushtria ruse po mobilizon me forcë të rinjtë ukrainas të kapur në luftë!

Ushtria ruse e liderit pushtues Vladimir Putin akuzohet së fundmi se po mobilizon me forcë të rinjtë ukrainas në rajonet separatiste të Donbas për të luftuar kundër bashkëatdhetarëve të tyre.

Ashtu siç është raportuar me parë dhe për mobilizim me forcë të personave pro-rusë në rajonet në kontroll të Ukrainës, edhe raportimet nga lindja flasin për marrje të detyruar të ushtarëve për të luftuar kundër vendit të tyre.

Një ushtar i plagosur ukrainas raportonte se separatistët në Donbas po dërgohen në “misione vetëvrasëse” për llogari të Vladimir Putin, pa trajnimin e përshtatshëm ushtarak dhe me armë të vjetëruara.

Duke folur me britaniken The Telegraph, ushtaraku Serhii shtoi se separatistët dukej se kishin konsumuar droga teksa nisnin sulmet e tyre në këmbë ndaj pozicioneve ukrainase, ne forme thuajse vetevrasese.

Kjo nga ana tjetër detyronte ushtarët e Kievit të qëllonin ndaj bashkëatdhetarëve të tyre duke ekspozuar pozicionet ndaj forcave ruse.

Serhii shtonte: “Ata nuk kishin as helmeta apo jelekë antiplumb dhe dërgoheshin atje për të provokuar apo nisur shkëmbimin e zjarrit”.

“Shumë u vanë si copa mishi, ndërsa më pas dronët na diktonin pozicionet dhe ata nisnin sulmet me artileri”.

“Dukej qartë që i kishin droguar me diçka, sepse nuk e kuptoj sesi dikush i armatosur aq lehtë  mund të vinte direkt para nesh.”

Autoritetet në Kiev thanë se janë duke humbur rreth 200 njerëz në ditë në rajonin e Donbas, të goditur rëndë nga artileria ruse.

Ata pretendojnë gjithashtu se edhe ushtria ruse po humbet njerëz me numra të njëjtë.

Deri më sot (16 qershor), Ukraina thotë se numri i forcave ruse të vrara që prej nisjes së pushtimit ka arritur në 32,950, 1,449 tanke, 213 avionë dhe 3,545 mjete të blinduara.

Megjithse ka raportime se forcat ruse po avancojnë në lindje të Ukrainës, humbjet e tyre janë të mëdha.