Rajoni

Raportuesja e PE për Kosovën Von Cramon: Jo vetëm Ukrainës, jepini edhe Ballkanit diçka

“Duhet t’i jepni diçka edhe Ballkanit Perëndimor, jo vetëm Ukrainës dhe vendeve të tjera ish-sovjetike”. Ishte kjo thirrja e drejtpërdrejtë e raportueses së Parlamentit Europian për Kosovën, Viola von Cramon, drejtuar zyrtarëve të Brukselit.

Politikania gjermane sugjeroi që të hapen negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, të liberalizohen vizat për Kosovën, dhe Bosnjë-Hercegovinës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Eurodeputetja thotë se kjo do të tregojë se Unioni e mban fjalën dhe se besimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj BE-së, nuk është humbur plotësisht.

Von Cramon thotë se nuk është në dijeni të detajeve të propozim të Sllovenisë, lidhur me afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bllokun Europian. Këto deklarata, eurodeputetja gjermane i bëri gjatë një vizite në Sarajevë.

Më herët ishte Gjermania që kërkoi që të hapen menjëherë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

“Ne mirëpresim rekomandimin e Komisionit për Ukrainën dhe Moldavinë, ky është një moment historik dhe të gjithë duhet të pyesin veten se çfarë do të ndodhë nëse marrim vendime të gabuara. Evropa gjithmonë rritet në kohë të vështira dhe ne jemi gjithashtu në favor të dërgimit të një mesazhi për Ballkanin Perëndimor, duke hapur menjëherë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.

Këtë e tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Barbock, gjatë mbërritjes së saj në Këshillin e Punëve të Jashtme në Luksemburg.

Disa ditë përpara atij që mund të jetë samiti vendimtar i BE-së, Ministrja e Jashtme Federale Annalena Baerbock mbrojti perspektivat konkrete për anëtarësimin e Ukrainës në BE.