Bota

Rastet e vdekjes nga vaksina AstraZeneca, gjenden shkaktarët “killer”!

Me shumë mundësi do të duhet që vaksinat anti-COVID të jenë të përvitëshme edhe për shumë vite në vazhdim. I këtij mendimi është administratori i deleguar i kompanisë amerikane Pfizer, Albert Bourla, sipas të cilit, injektimet janë të nevojshme për të patur një nivel shumë të lartë mbrojtjeje. Ndërkaq, edhe në Paris u evidentua rasti i parë me variantin Omicron të koronavirusit. I infektuar rezultoi një qytetar që hyri në kryeqytetin francez, nga Nigeria.

AstraZeneca gjen shkaqet e mpiksjeve “vrastare” të gjakut

Një ekip shkencëtarësh pretendon se ka evidentuar shkaqet e mpiksjeve të gjakut, ndonëse shumë të rralla, pas marrjes së vaksinës anti-COVID të AstraZeneca-s. Eshtë fjala për një proteinë, që në gjak tërhiqet nga një përbërës kyç i vaksinës së Oksfordit. Për pasojë, shkakton një reaksion zinxhir, që përfshin sistemin imunitar e në raste të caktuara, kulmon me mpiksje të rrezikshme të gjakut.

Britania e Madhe miraton antitrupin monoklonal Gsk

Londra miratoi një trajtim të ri kundër koronavirusit, me antitrupin monoklonal të njohur si Xevudy (sotrovimab), i prodhuar nga Gsk e Vir Biotechnology. Agjencia Rregullatore e Ilaçeve dhe Produkteve të Shëndetit, Mhra flet për rezultate të sigurta e efikase në reduktimin e rrezikut të shtrimeve në spitale e të vdekjeve nga COVID-i. Siç shpjegon BBC, një studim klinik arriti në përfundimin se një dozë e vetme e antitrupit monoklonal, redukton me 79% rrezikun e shtrimeve e të vdekjeve, te të rriturit e prekur që shfaqin simptoma.

Amerika drejt zgjatjes së masave anti-COVID në avionë e trena

Presidenti amerikan, Joe Biden është gati të zgjasë deri në mesin e muajit mars, detyrimin për të mbajtur maska në avionë, trena e autobusë, si dhe në stacione. Lajmin e bën të ditur New York Times. Nëse nuk merret vendim për shtyrje, detyrimi përfundon më 18 janar. Burime të administratës Biden thonë se vendimi është pjesë e një strategjie më të gjerë për të luftuar pandeminë. Po në kuadër të kësaj strategjie, parashikohet që udhëtarët e huaj të bëjnë testin anti-COVID, një ditë para se të nisen për në Shtetet e Bashkuara.

Për të parandaluar valën e re të pandemisë, Suedia është gati për të tjera masa anti-COVID

Aktualisht, në Suedi duhet paraqitur pasaporta e vaksinës për të marrë pjesë në aktivitete me më shumë se 100 persona, por nga java e ardhshme do të ketë të tjera masa shtrënguese.