Sport

Raundi i parë eliminator në Champions League, Tirana “peshkon”…!

Tirana me fat në shortin e hedhur në Nyon të Zvicrës, që përcaktoi çiftet e raundit të parë eliminator të Champions League për sezonin 2022-2023. Në një grup skuadrash me emra mjaft të njohur si Ferencvaros apo Ludogorets, Tirana ia doli të “peshkojë” më të mirën e mundshme, pikërisht F91 Dudelange, skuadër modeste nga Luksemburgu. Sfida e parë e kampionëve të Shqipërisë do të luhet në transfertë në datën 5 ose 6 korrik, ndërsa vetëm 6 ditë më vonë do të luhet edhe ndeshja e kthimit, në “Air Albania”, në kryeqytetin shqiptar.

Kundërshtari i Tiranës

Ashtu siç e tregon edhe në emër, F91 Dudelange është themeluar në vitin 1991 në qytetin luksemburgas të Dudelanges, teksa bëhet fjalë për një shkrirje të tre ekipeve të këtij qyteti, që zgjodhën të përfaqësohen në një të vetëm.

Ndonëse u deshën pak vite për t’u ngritur, Dudelange fitoi titullin e parë kampion në sezonin 1999-2000 dhe që atëherë numëron plot 16 tituj në Luksemburg, si dhe 8 Kupa, duke u bërë padyshim ekipi më i suksesshëm vendas, në mijëvjeçarin e tretë.

F91 Dudelange shkroi historinë në sezonin 2005-2006, duke u bërë e para skuadër nga Luksemburgu, që kalon në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampionëve, sukses të cilin e përsëriti edhe në sezonin 2011-2012. Një vit më vonë shkoi deri në turin e tretë, maksimumi që ka arritur në këtë kompeticion.

Periudha më e artë për klubin nga Luksemburgu ka qenë padyshim ajo 2018-2020, ku për dy sezone radhazi ia doli të kualifikohet për në grupet e Europa Leagues, duke u përballur me kundërshtarë si Milan, Betis, Olympiacos, Sevilla, etj. Prej korrikut 2020-ës, skuadra drejtohet nga portugezi Carlos Fangueiro dhe kryesisht ka në përbërje futbollistë vendas e francezë, por nuk mungojnë as portugezët, belgët, një kroat e një maroken.

Dudelange i luan ndeshjet në stadiumin e qytetit, i cili mban emrin “Jos Nosbaum” dhe ka një kapacitet prej 2 mijë e 500 tifozësh. Aty do të zbresë në fushë edhe Tirana, për sfidën e parë eliminatore të Ligës së Kampionëve.

Në Nyon të Zvicrës është hedhur edhe shorti për turin e parë eliminator të Conference League-s, aty ku goglat kanë vendosur që skuadra e Laçit të përballet me malazezët e Iskra Danilovgrad, me ndeshjen e parë në Shqipëri më 7 korrik dhe tjetrën në transfertë një javë më vonë.

Mes skuadrash si Sfintul George, Ruzomberok, Dila Goli, Gjilani dhe Iskra Danilovgrad, kurbinasit gjetën përballë pikërisht këta të fundit dhe kanë shanse mjaft të mira për të vijuar në turin tjetër.

Me fat edhe Partizani, që ka peshkuar gjeorgjianët e Saburtalos, teksa ndeshjen e parë do ta luajë në transfertë më 7 korrik dhe të kthimit, një javë më vonë në Shqipëri.