Aktualitet

Raundi i parë i votimit për president, pa kandidat!

Komisioni Parlamentar i Ligjeve zhvilloi sot të parën seancë për shqyrtimin e kandidaturave lidhur me zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, që do të pasojë Ilir Metën në krye të shtetit. Në këtë raund të parë, Komisioni konstatoi se nuk ka asnjë kandidaturë për president. Në të tilla kushte, raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, e thirrur për t’u mbajtur sot pasdite në orën 17:00, do të zhvillohet pa pasur një emër për t’u votuar.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka:

Komisioni i Ligjeve mblidhet për të shqyrtuar kriteret kushtetuese pas paraqitjes së emrave. Sipas njoftimit nga drejtoria përkatëse e Kuvendit, deri dje nuk është paraqitur asnjë kandidaturë për President të Republikës. Raundi i parë konsiderohet i kryer pa votim. Për efekt të rregullores, ne do të na duhet që ta konstatojmë këtë fakt, për t’ia paraqitur më pas Kuvendit.

Në të njëjtën mbledhje, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj shprehu qëndrimin politik të PD-së:

Ky proces do të duhet të përmbushë dhe të ketë disa virtyte, në mënyrë që t’u japë shqiptarëve presidentin e tyre, njeriun e parë që simbolizon unitetin e popullit, të jetë i gjithëpranuar, i gjithë shqiptarëve dhe me legjitimitet për të mbushur qartësisht karrigen presidenciale. Në thelb, Kushtetuta përcakton që ky proces duhet të zhvillohet në bazë konsensuale.

Do të jetë konferenca e kryetarëve, që në mbledhjen e ditës së nesërme do të vendosë datën për raundin e dytë.

Në mënyrë të përsëritur, Partia Socialiste e ka bërë të qartë se nuk ka qëllim të zgjedhë një President të maxhorancës, por të shqiptarëve, vetëm se nuk nuk mund të ketë kushte nga opozita. Por, sipas Enkelejd Alibeajt do të ishte ideale që presidenti të zgjidhej nga qytetarët, ndërsa shtoi se “meqenëse kjo nuk është e mundur, të paktën duhet të jetë një proces transparent”. Alibeaj u shpreh se të gjithë duhet të marrin pjesë në proces, duke theksuar presidenti duhet të jetë antikomunist.