Çdo gjë është ashtu si duket Sociale

Rea Nepravishta: “Lufta është e përbashkët, nuk është vetëm e grave!”

E ftuar ditën e sotme në “Çdo gjë është ashtu siç duket” ishte Rea Nepravishta për të folur për një temë shumë interesante, delikate dhe të rëndësishme. Feminizmi, ndërgjegjësimi i grave dhe shumë mesazhe të forta u përcollën ditën e sotme gjatë transmetimit. Rea tregoi më shumë rreth shoqërisë patriarkale dhe pasojat afatgjata që ajo ka shkaktuar në vendin tonë.

Janë të pafundme gjërat për të cilat ne mund të quhemi që i kemi të trashëguara dhe jemi patriarkalë.

Më tej, ajo tregoi vërtet rreth feminizmit se çfarë është sipas saj, duke theksuar faktin që duhet të jemi të hapur në ndryshimet dhe risitë.

Duhet të jemi ndërtues dhe të hapur drejt gjerave të reja.

Por si nisi rruga e vetë Reas drejt feminizmit dhe kësaj kauze kaq të rëndësishme?!

Figura dhe modeli i vajzës që ishte aq i duhuri që tamam si Rozafa muroset dhe qendron aty në shërbim të kësaj kulture patriarkale. Unë e ndjeva që duhet të vazhdoja në rrugëtimin tim të çlirimit. Ky ishte momenti që rruga ime shkoi në një rrugë ta pakthyeshme. Çlirimi nga kultura patriarkale nuk është vetëm për gratë, ndonjëherë është edhe për burrat. Lufta është e përbashkët, nuk është vetëm e grave!

Feminizmi shpeshherë keqinterpretohet apo paragjykohet. Pse njerëzit kanë një raport kaq të ndërlikuar me këtë fjalë?! Këtë na e zbulon ditën e sotme Rea.

Kjo ndodh sepse vijmë nga një histori ku gratë kanë pësuar shtypje, janë djegur, janë çuar nëpër çmendina thjesht sepse ishin ndryshe nga të tjerat. Nuk duhet të harrojmë që gratë kanë qenë gjithmonë të shtypura. Është normale që kur të dalin nga kjo lloj trashëgimie e tillë, të dalin me një lloj agresiviteti. Ne duhet të jemi të kuptueshëm me këto gra sepse kjo vjen nga një lloj trashëgimie. Kur kupton arsyet, je më i hapur ndaj kësaj gjëje.

Por nga nis feminizmi dhe cili është territori ku bëhet hapi i parë?!

Trupi dhe seksualiteti është territori i parë ku gruaja çlirohet!