Mëngjesi e ka gjetur të bllokuar rrugën në pikën kufitare të Jarinjës mes Kosovës e Serbisë. Gjatë natës, Forcat Speciale të Policisë së Kosovës qëndruan në gatishmëri, pas protestave lidhur me vendimin e Qeverisë mbi zbatimin e reciprocitetit për targat e automjeteve të regjistruara në Serbi dhe që hyjnë në Kosovë. Duke folur një ditë më parë në Kuvend, Kryeministri Albin Kurti tha se “vendimin nuk e morën me dëshirë”, por iu imponua nga pala tjetër, referuar Serbisë.
Në shenjë proteste, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë. Makinat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po iu vendosen në pjesët e përparme e të pasme. Për to, drejtuesit duhet të paguajnë 5 euro ndërsa vlefshmëria është 60 ditore.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç akuzoi autoritetet në Prishtinë se po demonstronin forcë dhe se kishin interpretuar sipas dëshirës Marrëveshjen e Brukselit kur njoftuan për zbatimin e reciprocitetit për targat e automjeteve. Vuçiç e përshkroi situatën si një nga ditët më të vështira për popullin serb në Kosovë.
Disa orë pas këtyre deklaratave të Vuçiçit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mbrojti vendimin për reciprocitet në çështjen e targave të automjeteve me Serbinë, duke e cilësuar në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.
Asnjë lloj kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për të jetësuar zbatimin e ligjit, në përputhje me detyrimet tona ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie.
Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të aplikojë masa të reciprocitetit, sa u përket targave të Serbisë, Shtetet e Bashkuara pas Bashkimit Europian iu bënë thirrje palëve të marrin masa, që të ulen tensionet në veri të Kosovës.
I bashkohemi BE-së në thirrjet për Kosovën dhe Serbinë, që të përmbahen nga veprimet e mëtejme të njëanshme e të ulin tensionet menjëherë, pa asnjë vonesë!
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Aty përcaktohet se të gjithë drejtuesit e makinave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës). Në këtë mënyrë hiqen nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.