Bota

Referendum i kontestuar për Kushtetutën në Tunizi!

Në Tunizi, qytetarët me të drejtë vote, sot janë thirrur të votojnë në referendumin për Kushtetutën e re, që sipas kritikëve të presidentit Kais Saied, mund të dëmtojë demokracinë që doli pas revolucionit të vitit 2011, duke i dhënë presidentit pushtet pothuajse të plotë. Votimi po zhvillohet në përvjetorin e parë të vendimit të Saiedit për të shkarkuar Parlamentin e zgjedhur. Pas shkarkimit të këtij parlamenti, ai vendosi gjendjen e jashtëzakonshme dhe nisi qeverisjen me dekret.

Partitë opozitare në Tunizi kanë thënë se kjo lëvizje është grusht shteti e që rrezikon kthimin e shtetit në epokën autokratike, para kohës së revolucionit. Ende nuk dihet se kur do të dalin rezultatet e referendumit, teksa njoftohet se qendrat e votimit pritet të mbyllen në orën 21:00 të mbrëmjes me atë lokale. Por, duket se ka pak dëshirë në mesin e qytetarëve për të votuar në këtë referendum, i cili është bojkotuar nga partitë kryesore.

Analistët presin që të ketë dalje të ulët dhe të dominojë vota “Pro” ndryshimeve kushtetuese.

Nën udhëheqjen e Saiedit, në referendum nuk ka prag të pjesëmarrjes. Të drejtë vote kanë 9.2 milion qytetarë. Presidenti ka deklaruar se Kushtetuta e re do të hyjë në fuqi pasi të publikohen rezultatet përfundimtare të referendumit, por nuk ka treguar se çfarë mund të ndodhë, nëse qytetarët kundërshtojnë ndryshimet.

Saied ka shtuar edhe se ndryshimet që ka propozuar do të vënë themelet e një republike të re, që do të lë pas revolucionin dhe vite të trazirave politike e bllokimeve ekonomike.

Ne do të krijojmë një republike të re, jo si ajo që kemi pasur në dhjetë vjetët e fundit. Ne duam një shtet ligjor. Qytetarët e kanë fjalën e fundit.

Megjithatë, pothuajse shumica e partive kryesore politike dhe organizatat e shoqërisë civile kanë kritikuar ndryshimet duke thënë se Kushtetuta po rishkruhet njëanshëm dhe kanë argumentuar se Saied ka dështuar që të krijojë unitet lidhur me referendumin.